| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Izraeli: Partia e Eisenkotit paraqet projektligj për hetim shtetëror mbi ngjarjet e tetorit 2023
Partia Yashar ka paraqitur gjithashtu propozime për kufizimin e mandatit të kryeministrit dhe shfuqizimin e ligjeve për reformën në sistemin gjyqësor.
Izraeli: Partia e Eisenkotit paraqet projektligj për hetim shtetëror mbi ngjarjet e tetorit 2023
Izraeli: Partia e Eisenkotit paraqet projektligj për hetim shtetëror mbi ngjarjet e tetorit 2023/ AA

Partia Yashar e Gadi Eisenkotit, kandidatit për kryeministër të Izraelit, të martën i paraqiti Knessetit (parlamentit izraelit) të sapoinauguruar një projektligj për krijimin e një komisioni shtetëror hetimor lidhur me ngjarjet e tetorit të vitit 2023, raportoi faqja e lajmeve Ynet.

Partia bëri të ditur se grupi i saj parlamentar ka paraqitur disa projektligje, përfshirë propozime për kufizimin e mandatit të kryeministrit dhe shfuqizimin e ligjeve për reformën në sistemin gjyqësor.

Propozimet legjislative u paraqitën në kohën kur Knesseti i 26-të i Izraelit mbajti seancën e parë, e cila nisi me ceremoninë e betimit të deputetëve, ndërsa negociatat për formimin e qeverisë së re vazhduan.

Të dielën, presidenti Isaac Herzog i ngarkoi Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë, pasi zgjedhjet parlamentare rezultuan pa shumicë të nevojshme për bllokun e tij dhe aleancën e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Grupet parlamentare që përfaqësojnë 67 nga 120 anëtarët e Knessetit rekomanduan Eisenkotin për marrjen e mandatit, ndërsa 46 deputetë e mbështetën Netanyahun. Një grup parlamentar prej shtatë anëtarësh nuk rekomandoi asnjë kandidat.

Eisenkot ka 28 ditë kohë për ta formuar qeverinë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera.