| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Erdoğan takohet me kryeministrin etiopian në margjinat e konferencës për klimën COP31 në Antalya
Takimi u përqendrua në marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Etiopisë, si dhe në çështjet rajonale, ndërsa presidenti Erdoğan rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Etiopisë.
Erdoğan takohet me kryeministrin etiopian në margjinat e konferencës për klimën COP31 në Antalya
Erdoğan takohet me kryeministrin etiopian në margjinat e konferencës për klimën COP31 në Antalya/ AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të martën u takua me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed Ali, në margjinat e konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike COP31, të cilën Türkiye po e organizon këtë vit në qytetin jugor të Antalyas, transmeton Anadolu.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Etiopisë, si dhe në çështjet rajonale, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes.

Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për ta avancuar bashkëpunimin me Etiopinë në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti dhe investime. Ai gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Türkiyes për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Etiopisë.

Ai gjithashtu e përgëzoi Abiyn për përgatitjet e Etiopisë për organizimin e COP32 vitin e ardhshëm, pas kryesimit të Türkiyes në COP31, edicionin e sivjetmë të këtij takimi vjetor.

Në takim morën pjesë edhe ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan, ministrin e Energjisë dhe e Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ministrin e Thesarit dhe të Financave, Mehmet Simsek, ministrin e Industrisë dhe të Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacir, zëvendëskryetarin dhe zëdhënësin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Celik, anëtarin e Bordit Presidencial për Politikat e Bujqësisë dhe Ushqimit, Mehdi Eker, kreun e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), Ibrahim Kalin, si dhe drejtorin e Komunikimeve, Burhanettin Duran.