Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Presidentja kosovare e ka bërë këtë gjatë një takimi me senatorët amerikanë të cilët i priti në Presidencë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.
Në këtë takim, presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon lart mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së, të cilën e konsideroi aleate strategjike dhe partnere të pazëvendësueshme.
Në këtë kontekst, ajo ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyç në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin”, ka deklaruar Presidentja Shiroka-Pula.
Ajo e ka falënderuar senatoren Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës ku në veçanti, është vlerësuar qëndrimi i saj në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it.
Në shenjë falënderimi, Shiroka-Pula i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.
Në shtator të vitit 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë atëherë në detyrë që i rritën tensionet.























