| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, PDK-ja kërkon që institucionet të përshpejtojnë hapat ligjorë kundër Gjykatës Speciale
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për shqyrtim dhe ai nuk është projektligj vetëm për interesat e PDK-së, por të gjithë shqiptarëve.
Kosovë, PDK-ja kërkon që institucionet të përshpejtojnë hapat ligjorë kundër Gjykatës Speciale
Kosovë, PDK-ja kërkon që institucionet të përshpejtojnë hapat ligjorë kundër Gjykatës Speciale/ AA

Partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar nga institucionet veprime ligjore kundër Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, pas vendimit të saj dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 16 shtator.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku u vendos që seanca e parë të mbahet të hënën, më 28 shtator, tha se aktualisht qytetarët po shprehin revoltën e tyre kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së përmes protestave kudo nëpër botë.

Ai tha se kjo situatë është emergjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale.

“Kërkova që fillimisht edhe pse shumë e vonuar, Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët që do të mbahet ditën e hënë. Por, më e rëndësishme është nisma ligjore të cilën ne tashmë e kemi bërë, e kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës dhe nga Kuvendi nisma për mendim ka shkuar në Qeverinë e Kosovës. Andaj tani presioni duhet të jetë tek Qeveria e Kosovës”, theksoi Tahiri.

Tahiri tha se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për shqyrtim dhe ai nuk është projektligj vetëm për interesat e PDK-së, por sipas tij të gjithë shqiptarëve.

Në mbështetje të PDK-së dhe ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës u deklarua edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se seanca e Kuvendit do të mbahet të hënën në orën 11:00, me pika të rëndësishme të rendit të ditës.

“Janë një numër i deputetëve që do ta bëjnë betimin në këtë seancë. Pastaj me miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se janë pajtuar që deputetët të kontribuojnë në draftimin e kësaj deklarate paraprakisht.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.