Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, me të cilin diskutoi zhvillimet aktuale në rajon, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe avancimin e bashkëpunimit. Mickoski përmes një postimi në rrjetet sociale tha se gjatë takimit u diskutua edhe për interesat e përbashkëta që kontribuojnë në stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin e popujve të të dyja vendeve.
“Vazhdojmë me dialog të hapur dhe bashkëpunim konstruktiv, me synim forcimin e lidhjeve rajonale dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Mickoski.
Ndërkohë, Vuçiq në një postim në rrjete sociale tha se me Mickoskin zhvilloi një “bisedë të mirë dhe të hapur për marrëdhëniet tradicionalisht miqësore” midis dy vendeve, rëndësinë e bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, si dhe rrugën evropiane të të dyja vendeve.
“Serbia dëshiron marrëdhëniet më të mira me Maqedoninë e Veriut”, shkroi Vuçiç, duke shtuar se gjatë takimit u shkëmbyen mendime për avancimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në fushat e ekonomisë, energjisë, infrastrukturës dhe ndërlidhjes.
Vuçiç e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një partner të rëndësishëm ekonomik të Serbisë, si dhe theksoi se ekziston hapësirë e konsiderueshme për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit tregtar dhe investimeve.
Ai gjithashtu theksoi pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në Ekspozitën e Specializuar EXPO 2027, e cila do të mbahet në Beograd, duke e cilësuar atë si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet popujve, ekonomive dhe institucioneve të të dyja vendeve.




















