Eshtrat e Rrecajt, i cili ishte një nga 23 intelektualët e Mitrovicës të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, janë gjetur në një varrezë masive në Zubin Potok. Për familjen, kjo sjell një përgjigje pas më shumë se dy dekadash pritjeje, edhe pse jo atë që kishin shpresuar.
Djali i tij, Shpëtim Rrecaj për TRT Balkan rrëfen se familja për vite me radhë kishte shpresuar se Idrizi mund të ishte gjallë, madje se mund të mbahej në ndonjë burg në Serbi.
Në pritje të babait
“Për 27 vite kemi jetuar me pyetjen non-stop ku është Idriz Rrecaj, prindi jonë. Tash, pas 27 viteve që janë gjetur eshtrat e tij, e kemi një përgjigje. Jo përgjigjen që kemi dashur, sepse kemi dashur të vijë i gjallë, por në pamundësi të asaj, të paktën e kemi një ngushëllim se eshtrat e tij po vijnë në Kosovë, në vendin ku ka punuar dhe luftuar për këtë vend”, thotë Shpëtimi.
Ai tregon se menjëherë pas luftës familja kishte shpresuar se Idrizi mund të gjendej diku i gjallë.
“Fillimisht pas luftës kemi pasur shpresa se mos është ndokund, në ndonjë burg në Serbi, por pastaj vitet kalojnë, shpresat shkojnë duke u zbehur. Është shumë e rëndë 27 vjet mos me ditë se kryefamiljari yt ku gjendet”, u shpreh ai.
Kujtimet për të atin
Shpëtimi thotë se kujtimet që ka për të atin janë të pakta, pasi ishte vetëm fëmijë kur Idrizi u zhduk. Ai kujton momentet kur babai kthehej nga puna pas një dite të gjatë.
“Kujtimet e mia për prindin i kam si i vogël, kur vinte nga puna me një orar të gjatë që punonte për këtë vend. Kujtimet i kam shumë të pakta, disa fotografi me të, disa lojëra të ndryshme që i kemi bërë me top. U mundonte mos me shpreh atë lodhjen e tij që e ka pasur gjatë tërë ditës dhe luante me mua me energjinë maksimale”, tregon ai.
Për veprimtarinë e të atit, Shpëtimi thotë se ka mësuar më shumë me kalimin e viteve, përmes rrëfimeve të njerëzve që e kanë njohur Idriz Rrecajn.
“Tani që njerëzit më tregojnë se çfarë veprimtari ka qenë ai, se unë nuk kam arritur ta dalloj në atë moshë si fëmijë, nuk kam mundur ta di veprimtarinë e tij në atë kohë. Por njerëzit flasin shumë për të, tregojnë për veprimtarinë dhe punën e tij të palodhshme që e ka bërë për Kosovën tonë të lirë”, tha Rrecaj.
Shpresa te institucionet
Duke folur për hetimet lidhur me rastin e babait të tij dhe 23 intelektualëve të tjerë, Shpëtim Rrecaj tha se familja i beson institucioneve të Kosovës.
Tashmë autoritet e Kosovës kanë arrestuar katër persona të dyshuar për varrezën masive në Zubin Potok. Sipas Shpëtimit, të gjithë janë nga nacionaliteti serb dhe janë banorë të zonës ku janë gjetur varrezat masive.
“Ne si familje i besojmë plotësisht institucioneve tona”, tha Rrecaj.
Ai shtoi se familja ndër vite ka kërkuar përgjegjësi për zhdukjen dhe vrasjen e Idriz Rrecajt, duke thënë se përgjegjësinë për fatin e tij familja vazhdimisht e ka lidhur me Serbinë.
“Për aktin makabër që e kanë bërë, për zhdukjen dhe vrasjen e prindit tim, vazhdimisht e kemi drejtuar gishtin nga Serbia”, ka deklaruar Shpëtim Rrecaj.
Për familjen, gjetja e eshtrave pas 27 vitesh i jep fund pritjes së gjatë për të mësuar fatin e Idriz Rrecajt, por njëkohësisht rikthen dhimbjen e një historie që për dekada mbeti pa përgjigje.




















