Ministri turk i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, u takua me presidenten e Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë (AIIB), Zou Jiayi, për të finalizuar detajet e programit të ri shumëvjeçar të investimeve për periudhën 2027-2029.
Takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës së 31-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31), e cila po mbahet në Antalya të Türkiyes.
Şimşek dhe Zou shqyrtuan projektet e planifikuara për financim, duke harmonizuar mbështetjen financiare të bankës me prioritetet e reformave strukturore dhe ekonomike të Türkiyes.
Ministri Şimşek deklaroi se kjo fazë e re e bashkëpunimit do të përqendrohet në investimet në hekurudha dhe ndërlidhje, transformimin e gjelbër, energjinë e rinovueshme, elektrifikimin dhe transformimin digjital, përfshirë lidhjen 5G, infrastrukturën me fibra optike dhe qendrat e të dhënave. Fushat e tjera prioritare përfshijnë praktikat bujqësore rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, teknologjitë shëndetësore dhe sektorin industrial me vlerë të lartë të shtuar.
Zou tha se AIIB-ja ndan të njëjtat prioritete, veçanërisht sa u përket investimeve hekurudhore në Korridorin e Mesëm dhe rrjetet rajonale, të cilat do të forcojnë ndërlidhjen mes Azisë dhe Evropës.
AIIB-ja, me seli në Pekin, operon me një kapital prej 100 miliardë dollarësh dhe ka 111 vende anëtare. Deri në shtator të këtij viti, ajo kishte miratuar 78,1 miliardë dollarë investime në 396 projekte.
Türkiye është aksionare e dhjetë më e madh e bankës ndër 57 anëtarët themelues, me 2,5 për qind të të drejtave të votës dhe një zotim kapitali prej 2,6 miliardë dollarësh.
Banka ka miratuar gjithsej 9,4 miliardë dollarë financime për 45 projekte në mbarë Türkiyen, duke e bërë vendin përfituesin e dytë më të madh të fondeve të miratuara, pas Indisë.
Türkiye ka një portofol aktiv projektesh me vlerë 6,2 miliardë dollarë, që përbën 15,3 për qind të portofolit global të AIIB-së dhe e rendit vendin të dytin në botë.
Programi i ri shumëvjeçar i investimeve përfshin projekte të sektorit privat, si me garanci shtetërore ashtu edhe pa to, me fokus të veçantë në zhvillimin e infrastrukturës.
Ndër projektet kryesore janë Kalimi Hekurudhor Verior i Istanbulit (INRAIL), me vlerë 1,5 miliardë dollarë; modernizimi i Hekurudhave Shtetërore të Türkiyes (TCDD), me 415 milionë dollarë; autostrada Antalya-Alanya, me 156,1 milionë dollarë; një projekt prej 500 milionë dollarësh për qëndrueshmërinë klimatike të ujërave; si dhe iniciativa për uljen e rrezikut sizmik në Istanbul, me vlerë 800 milionë dollarë.






















