Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Prokuroria ka njoftuar se sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998 - 1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarët të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinë e e Komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
“Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni janë vrarë tre banorë civilë, ndërsa shtatë persona të tjerë u rrëmbyen, derisa trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll dhe trupi i viktimës së shtatë mbetet ende i zhdukur. Gjithashtu, në këtë operacion u dogjën edhe shtëpi dhe u shkatërruan pasuri të ndryshme materiale.
Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim.























