| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Akreditohen mbi 16 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 15 subjekte politike, 8 organizata joqeveritare, 3 organizata ndërkombëtare, 26 media vendore, 16 media ndërkombëtare dhe 4 përfaqësi diplomatike.
Akreditohen mbi 16 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë
Akreditohen mbi 16 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar gjithsej 16.549 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sot në mbledhjen e radhës të KQZ-së u akreditua grupi i dytë i vëzhguesve me 15.782 vëzhgues ndërsa në mbledhjen e kaluar ishin akredituar grupi i parë prej 761 vëzhguesve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 15 subjekte politike, 8 organizata joqeveritare, 3 organizata ndërkombëtare, 26 media vendore, 16 media ndërkombëtare dhe 4 përfaqësi diplomatike.

Sipas tij, nga 15 subjektet politike do të jenë 14.931 vëzhgues, nga 13 organizatat joqeveritare do të jenë 796 vëzhgues, nga katër organizatat ndërkombëtare do të jenë 130 vëzhgues, nga 39 mediat vendore do të jenë 457 vëzhgues, nga 23 mediat ndërkombëtare do të jenë 78 vëzhgues, nga gjashtë përfaqësi diplomatike do të jenë 90 vëzhgues dhe nga një institucion vendor do të jenë 67 vëzhgues.

KQZ-ja ka marr vendim edhe për emërimin e ekipeve të numërimit në 38 qendra komunale të numërimit. Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen 2.213 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor.

Ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet e subjekteve politike të evidentuar në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë