| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Modi dhe Trump diskutojnë marrëdhëniet tregtare, të mbrojtjes dhe ato energjetike Indi-ShBA
Biseda u zhvillua disa ditë pasi ShBA-ja miratoi ligjin për sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, i cili lejon vendosjen e tarifave deri në 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga vendet që blejnë pjesën dërrmuese të naftës ose gazit rus.
Modi dhe Trump diskutojnë marrëdhëniet tregtare, të mbrojtjes dhe ato energjetike Indi-ShBA
Modi dhe Trump diskutojnë marrëdhëniet tregtare, të mbrojtjes dhe ato energjetike Indi-ShBA/ AA

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka diskutuar marrëdhëniet tregtare, të mbrojtjes dhe ato energjetike Indi-ShBA gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump.

Modi njoftoi në rrjetin social amerikan X se ka zhvilluar një “bisedë produktive” me Trumpin.

“Shqyrtuam bashkëpunimin tonë dypalësh në fushën e tregtisë, mbrojtjes, energjisë, teknologjive kritike dhe fusha të tjera”, tha Modi, duke shtuar se ranë dakord të ruajnë “angazhimin e ngushtë për ta çuar përpara partneritetin tonë gjithëpërfshirës strategjik global”.

Biseda u zhvillua disa ditë pasi ShBA-ja miratoi Ligjin e vitit 2026 për sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, i cili i lejon presidentit amerikan të vendosë tarifa të synuara deri në 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga vendet që blejnë pjesën dërrmuese të naftës ose gazit rus dhe mundësojnë shmangien e sanksioneve ndaj Rusisë.

India ka shprehur shqetësimet e tij ndaj Uashingtonit lidhur me këtë ligj.

Modi tha gjithashtu se ata “shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e paqes dhe sigurisë globale”.

Biseda u zhvillua në një kohë kur ministri indian i Tregtisë nisi një vizitë në ShBA për negociata me zyrtarët amerikanë.

Në muajin shkurt, ShBA-ja dhe India njoftuan se kishin arritur dakordësi mbi kushtet e një marrëveshjeje të përkohshme kornizë, që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare dypalëshe.

Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar pas vendosjes së tarifave prej 50 për qind ndaj mallrave indiane nga administrata e presidentit Trump, pjesërisht për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga India gjatë luftës Rusi-Ukrainë.

Sipas zyrtarëve, tregtia dypalëshe mes dy vendeve, të cilat ruajnë një partneritet gjithëpërfshirës strategjik global, arriti në rreth 149,4 miliardë dollarë në vitin 2025.