| Albanian
LUFTA NË GAZA
3 minuta leximi
Türkiye dhe 17 shtete të tjera dënojnë sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza
Ministrat e Jashtëm paralajmërojnë se sulmet e vazhdueshme dhe kufizimet ndaj ndihmës humanitare po e përkeqësojnë krizën në Gaza me afrimin e dimrit.
Türkiye dhe 17 shtete të tjera dënojnë sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza
Türkiye dhe 17 shtete të tjera dënojnë sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza / AP (Wire)

Türkiye dhe 17 vende të tjera dënuan ashpër të shtunën sulmin ajror izraelit ndaj Kompleksit Mjekësor Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës, i cili shkaktoi viktima mes pacientëve dhe personelit mjekësor. Ato i bënë thirrje Izraelit të respektojë armëpushimin dhe të lejojë dërgimin pa kufizime të ndihmës humanitare.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të shtunën nga Ministria e Jashtme e Türkiyes, ministrat e Jashtëm të Türkiyes, Algjerisë, Xhibutit, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Libisë, Mauritanisë, Omanit, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite, Somalisë, Sudanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se sulmi shkeli të drejtën ndërkombëtare humanitare, e cila u garanton mbrojtje të posaçme objekteve mjekësore dhe punonjësve shëndetësorë.

Ministrat dënuan gjithashtu sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj civilëve palestinezë, përfshirë goditjet ndaj tendave dhe strehimoreve të tjera ku qëndrojnë personat e zhvendosur. Ata paralajmëruan se këto sulme minojnë armëpushimin dhe përpjekjet për të rivendosur sigurinë dhe stabilitetin në Gaza.

Ata thanë se sulmet bien ndesh me planin gjithëpërfshirës të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Ministrat shprehën shqetësim të thellë për kufizimet që Izraeli vijon të vendosë ndaj ndihmës humanitare, materialeve për strehim dhe furnizimeve mjekësore. Ata paralajmëruan se kushtet në Gaza po përkeqësohen me afrimin e dimrit.

Sipas tyre, strehimi i pamjaftueshëm dhe përkeqësimi i shërbimeve të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe kujdesit shëndetësor i vënë civilët, veçanërisht fëmijët dhe foshnjat, përballë rrezikut serioz për të humbur jetën nga ekspozimi ndaj temperaturave nën zero.

Thirrje drejtuar Izraelit, agjencive të OKB-së dhe organizatave humanitare

Në deklaratë i bëhet thirrje Izraelit t’u përgjigjet thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Bordit të Paqes, si dhe të përmbushë menjëherë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Sharm el-Sheikhut, Plani Gjithëpërfshirës i Trumpit dhe Rezoluta 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministrat i kërkuan Izraelit të respektojë armëpushimin, të mbrojë civilët dhe objektet mjekësore dhe të sigurojë dërgimin e sigurt, të vazhdueshëm dhe të papenguar të ndihmës humanitare në sasi të mjaftueshme. Kjo përfshin materiale për strehim, furnizime për rimëkëmbjen e hershme dhe pajisje të nevojshme për të rivënë në funksion infrastrukturën jetike.

Ata kërkuan gjithashtu që agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare të lejohen të kryejnë punën e tyre pa pengesa.

Ministrat theksuan se zotimet e fazës së parë duhej të hynin në fuqi me nënshkrimin e marrëveshjes dhe se ato duhet të zbatohen pa vonesë dhe pa kushte shtesë politike apo të sigurisë që kufizojnë qasjen humanitare.

Ata theksuan më tej se ndihma urgjente humanitare nuk duhet të varet nga përparimi në fazat pasuese të planit.

Ministrat i bënë thirrje ShBA-së dhe Bordit të Paqes që, në kuadër të roleve të tyre përkatëse, të shtojnë përpjekjet për të siguruar që Izraeli t’i zbatojë plotësisht zotimet e veta dhe të heqë të gjitha kufizimet ndaj hyrjes së ndihmës humanitare në Gaza. Ata paralajmëruan se besueshmëria e marrëveshjeve dhe forcimi i armëpushimit varen nga zbatimi i këtyre zotimeve.

Ata riafirmuan angazhimin për të punuar me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të forcuar armëpushimin, për të zbatuar të gjitha fazat e planit dhe për të zgjeruar ndihmën humanitare me qëllim lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë