Gjykata Supreme e Norvegjisë la në fuqi të premten një vendim që shpall të pavlefshme miratimet qeveritare për tri vendburime të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, për shkak të vlerësimeve të pamjaftueshme të ndikimit në mjedis, raportoi transmetuesi NRK.
Çështja u ngrit nga organizatat mjedisore Greenpeace dhe Nature and Youth, të cilat kundërshtuan miratimet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve Tyrving, Breidablikk dhe Yggdrasil.
Organizatat argumentuan se autoritetet nuk e kishin vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin klimatik të emetimeve që krijohen nga djegia përfundimtare e naftës dhe gazit të nxjerrë nga këto vendburime.
Gjykata Supreme vendosi se vlerësimet e ndikimit në mjedis duhet t’i përfshijnë edhe emetimet që krijohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile të nxjerra, përfshirë ato që çlirohen jashtë territorit të Norvegjisë, si dhe të vlerësojnë kontributin e tyre në ngrohjen globale.
Ajo vendosi gjithashtu se vlerësimet duhet të marrin parasysh emetimet kumulative nga projektet e tjera të naftës dhe gazit, ekzistuese dhe të miratuara, në shelfin kontinental norvegjez. Kjo kërkesë u miratua me shumicë prej gjashtë votash kundrejt pesë.
Vendimi e detyron qeverinë norvegjeze të rivlerësojë miratimet, por nuk e pezullon automatikisht prodhimin në këto vendburime.
Shteti u urdhërua gjithashtu t'u paguajë Greenpeace dhe Nature and Youth më shumë se 5 milionë korona norvegjeze (rreth 500 mijë dollarë) për shpenzimet ligjore.




















