Një ligjvënës iranian tha të mërkurën se Teherani do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë nëse ShBA-ja do të përdorte armë bërthamore kundër Iranit, duke komentuar një raportim mediatik mbi mundësinë e një sulmi të tillë.
Fada Hossein Maleki, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian, i bëri komentet në një intervistë për median iraniane Khabar Online.
I pyetur se sa të mundshëm e konsideron një sulm bërthamor amerikan ndaj Iranit, Maleki tha: “Nuk e përjashtoj një veprim të pamenduar nga (presidenti amerikan Donald) Trump, por nuk mendoj se ai do të guxonte të bënte një gjë të tillë, sepse një veprim i tillë mund ta zhyste botën në një luftë të rrezikshme”.
“Nëse ndërmerret një veprim i tillë, Republika Islamike e Iranit gjithashtu do të përgjigjet dhe reagimi i saj do të jetë proporcional me llojin e armës së përdorur kundër Iranit”, shtoi ai.
I pyetur nëse kjo nënkupton se Irani do të përdorte armë bërthamore nëse ShBA-ja do ta sulmonte Iranin me një të tillë, Maleki u përgjigj: “Çfarëdo që të përdorë ShBA-ja, Irani do t’i përgjigjet në përputhje me të”.
Maleki nuk tha në mënyrë të drejtpërdrejtë se Irani posedon armë bërthamore.
Ligjvënësi paralajmëroi gjithashtu Washingtonin kundër veprimeve të mëtejshme ushtarake, duke thënë se Irani ka “opsione të shumta” në dispozicion dhe se çdo veprim i ShBA-së mund të shkaktojë përgjigje “në të njëjtin nivel ose edhe përtej tij”.
“Shumë prej armëve dhe kapaciteteve ushtarake të Iranit ende nuk janë bërë të ditura”, tha Maleki, duke theksuar se Teherani ka kaluar nga një qëndrim mbrojtës në atë që ai e përshkroi si “parandalim aktiv dhe ofensiv”.
Duke folur për bisedimet e ngecura mes Teheranit dhe Uashingtonit, Maleki akuzoi Trumpin se nuk i ka respektuar zotimet sipas memorandumit të mirëkuptimit mes dy palëve.
Ai tha se Irani nuk do të kthehet në negociata nëse Uashingtoni nuk respekton zotimet e mëparshme, duke shtuar se çështje, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, do të mbeten të pazgjidhura në të kundërt.
Maleki tha se bisedimet e Iranit me Omanin janë një kanal i veçantë dypalësh, duke shtuar se Teherani ka refuzuar pjesëmarrjen e ShBA-së në këto diskutime.
Irani dhe ShBA-ja nënshkruan në mes të qershorit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, një memorandum mirëkuptimi që synonte t’i jepte fund luftës së tyre dhe të hapte rrugën për negociata për një marrëveshje përfundimtare.
Bisedimet kanë ngecur që atëherë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zbatimin e memorandumit, përfshirë çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit.
Tensionet e fundit vijnë pas muajsh armiqësish që nisën pasi ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, duke e shtyrë Teheranin të kundërpërgjigjej ndaj objektivave amerikane dhe izraelite, si dhe aseteve amerikane në gjithë rajonin.






















