Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, do t'i vizitojë të hënën Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për bisedime që do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme të Türkiyes, gjatë bisedimeve të tij Fidan pritet t'i shqyrtojë përgatitjet për takimin e dytë të Këshillit të Nivelit të Lartë Strategjik Türkiye-EBA.
Fidan pritet gjithashtu të rikonfirmojë se ai dhe Türkiye qëndrojnë në solidaritet të plotë me EBA-në, një nga vendet më të prekura nga lufta në Gjirin Persik, dhe të theksojë se ndërhyrjet e jashtme në rajon kanë bërë që mosmarrëveshjet të zgjasin, duke e nënvizuar nevojën për forcimin e pronësisë rajonale mbi çështjet e rajonit.
Ministri i Jashtëm do ta theksojë gjithashtu rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe atë të Bab el-Mandebit për stabilitetin rajonal dhe global.
Ai pritet të thotë gjithashtu se një Jemen i bashkuar që ka arritur paqen dhe stabilitetin është thelbësisht i rëndësishëm për sigurinë e Lindjes së Mesme.
Fidan do të theksojë nevojën për të kaluar pa vonesë në fazën e dytë të planit të paqes në Gaza, për përmirësimin e situatës humanitare dhe nisjen e përpjekjeve për rindërtim.
Në këtë kuadër, ai pritet të zhvillojë konsultime lidhur me punën e Bordit të Paqes, ku të dyja vendet janë anëtare themeluese.
Fidan pritet gjithashtu të theksojë rëndësinë e miratimit nga komuniteti ndërkombëtar të një qëndrimi të vendosur dhe të bashkuar për ruajtjen dhe shndërrimin në të përhershme të armëpushimeve në Gaza dhe Liban, përballë sulmeve të “Izraelit pushtues”.
Fidan e vizitoi për herë të fundit EBA-në më 20 mars.
Marrëdhëniet dypalëshe
Türkiye dhe EBA-ja kanë ruajtur një partneritet strategjik që nga viti 2023.
Takimi i parë i Këshillit të Nivelit të Lartë Strategjik, i krijuar mes dy vendeve në vitin 2023, u mbajt në nivel liderësh në Ankara më 16 korrik 2025.
EBA-ja është vendi i Gjirit me investimet më të mëdha në Türkiye dhe partneri më i madh tregtar i Türkiyes në Gjirin Persik.
Tregtia dypalëshe arriti në 19,346 miliardë dollarë në vitin 2025.




















