| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha - Gjuriqi në Uashington: Të hidhet poshtë retorika që nxit tensione
Gjatë takimit, Hoxha riafirmoi “qëndrimin e qartë dhe të palëkundur” të Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit “të papranueshme dhe të papërgjegjshme” të bëra nga ministrja serbe Paunoviq.
Hoxha - Gjuriqi në Uashington: Të hidhet poshtë retorika që nxit tensione
Hoxha - Gjuriqi në Uashington: Të hidhet poshtë retorika që nxit tensione

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në margjinat e një takimi ministror të zhvilluar në Uashington.

Në një postim në rrjetin social  X, Hoxha bëri të ditur se me homologun serb diskutoi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme ndërsa theksoi rëndësinë e dialogut të hapur diplomatik.

Gjatë takimit, Hoxha tha se riafirmoi “qëndrimin e qartë dhe të palëkundur” të Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit “të papranueshme dhe të papërgjegjshme” të bëra nga ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

“Theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.

Ai tha se ky është thelbi i diplomacisë, “angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”.

Ministrja serbe Paunoviq gjatë një emisioni deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, "do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën".

Deklaratat e saj shkaktuan reagime në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet e Kosovës ministren në fjalë e shpallën person “non grata”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë