Zjarri më i madh pyjor i vitit në Spanjë ka djegur rreth 12 mijë hektarë në provincën verilindore të Zaragozës, duke detyruar evakuimin e më shumë se 1.100 personave, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Transmetuesi publik spanjoll RTVE raportoi se autoritetet njoftuan se zjarri, i cili shpërtheu të mërkurën në rajonin Cinco Villas, mbeti “mjaft aktiv”, me një përhapje “të konsiderueshme” gjatë natës. Zjarri ka detyruar evakuimin e pesë komunave në Zaragoza dhe një komune në rajonin fqinj Navarra.
Flakët janë përhapur përgjatë një perimetri prej rreth 60 kilometrash ndërsa disa rrugë vazhdojnë të jenë të mbyllura. Energjia elektrike është rikthyer në të gjitha zonat e prekura. Rreth 400 persona në terren dhe 19 avionë u angazhuan të enjten në luftën kundër zjarrit ndërsa gjatë natës zjarrfikësit u përqendruan në mbrojtjen e banesave në Uncastillo.
Ndërkohë, një tjetër zjarr pyjor në La Mierla, në provincën veriore të Guadalajarës, mbeti aktiv pasi dogji rreth 900 hektarë, duke shkaktuar evakuime dhe masa izolimi në komunitetet përreth. Qeveria rajonale kërkoi angazhimin e Njësisë Ushtarake të Emergjencave të Spanjës, e cila dërgoi rreth 100 pjesëtarë për të ndihmuar në operacionet e shuarjes së zjarrit.
Një zjarr i tretë pranë Lozoyuela, në veri të Madridit, po përparonte në mënyrë të favorshme, por ende nuk ishte vënë nën kontroll dhe as nuk ishte izoluar plotësisht, sipas shërbimeve të emergjencës. Ky zjarr ka djegur pothuajse 70 hektarë.
Autoritetet thanë se pjesë të rajonit Cinco Villas mbetën nën masa kufizuese ndërsa dy rrugë në zonë vazhduan të ishin të mbyllura. Garda Civile spanjolle arrestoi një person të dyshuar për shkaktimin e zjarrit në rajonin e Madridit ndërsa qeveria rajonale njoftoi se do të bashkohet me procedurat ligjore si palë civile.
Temperaturat e larta, erërat e forta, lagështia e ulët dhe bimësia e dendur pas një pranvere me reshje të shumta raportohet se kanë ndikuar në përhapjen e zjarreve. Ekspertët përmendin ndryshimet klimatike dhe braktisjen e zonave rurale si faktorë që rrisin rrezikun nga zjarret pyjore.





















