Türkiye hodhi poshtë të mërkurën pretendimet e zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me Sirinë, duke deklaruar se ato synojnë të justifikojnë sulmet ajrore “të paligjshme” të Izraelit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.
“Pretendimet e pabaza të paraqitura nga zyra e kryeministrit izraelit synojnë të legjitimojnë sulmet e paligjshme ajrore të Izraelit, të cilat shënjestrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, thuhet në një deklaratë të Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes.
Deklarata erdhi pasi zyra e Netanyahut tha se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord të ruanin status quo-në për çështjet e sigurisë, por pretendoi se Siria ishte “në prag të shkeljes së saj, duke lejuar dislokimin e trupave turke në një bazë ajrore pranë Halepit”.
Më herët të martën, avionët luftarakë izraelitë kryen tetë sulme ajrore ndaj pistës së aeroportit ushtarak Abu al-Duhur në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit, duke dëmtuar infrastrukturën e tij.
Ankaraja tha se akuzat e ngritura burojnë nga synimi i Netanyahut për të vazhduar “politikat e tij ekspansioniste dhe destabilizuese” në rajon përpara zgjedhjeve në Izrael.
“Ashtu si shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, Türkiye mbron paqen e qëndrueshme në rajonin tonë. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është që Netanyahu të heqë dorë nga politikat e tij agresive dhe imponuese dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ankaraja ripohoi gjithashtu angazhimin e saj për të bashkëpunuar me qeverinë siriane në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Siri.
“Türkiye do të vazhdojë me vendosmëri bashkëpunimin me qeverinë siriane mbi baza legjitime për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Siri dhe nuk do të lejojë kurrë destabilizimin e Sirisë”, thuhet në deklaratë.






















