| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi mes shtatorit dhe nëntorit 2026
Presidenti serb gjithashtu tha se vend i tij do ta mbështesë fuqishëm Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë më 7 qershor, duke vlerësuar se "kushtet për serbët do të jenë të vështira".
Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi mes shtatorit dhe nëntorit 2026
Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi mes shtatorit dhe nëntorit 2026

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme në vend do të mbahen në periudhën nga fundi i shtatorit deri në mesin e nëntorit, duke theksuar gatishmërinë për dialog politik pavarësisht “refuzimit nga një pjesë e opozitës”.

Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë tha se do të vazhdojë t’i ftojë kundërshtarët politikë në bisedime dhe theksoi se respekton të gjithë pjesëmarrësit e jetës politike. Ai shtoi se do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve nëse lista e tij humb, por theksoi se do të vazhdojë të angazhohet për dialog dhe për “një Serbi të bashkuar pa mendim unik”.

Duke folur për qëllimet politike, Vuçiq tha se prioriteti i tij është zhvillimi dhe modernizimi i mëtejshëm i vendit, me një shumicë të qartë që do të zbatojë programin e saj.

Presidenti serb gjithashtu tha se vend i tij do ta mbështesë fuqishëm Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë më 7 qershor, duke vlerësuar se "kushtet për serbët do të jenë të vështira". Ai akuzoi autoritetet në Prishtinë për presion ndaj komunitetit serb dhe përsëriti se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështje kyçe për Beogradin.

Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Vuçiq paralajmëroi luftë kundër korrupsionit në polici dhe tha se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale do të sanksionohen. Ai shtoi se shteti po përgatit masa më të ashpra ligjore për të parandaluar abuzimet.

Duke folur për ekonominë, presidenti serb tha se po zhvillohen negociata intensive lidhur me sektorin energjetik, përfshirë ndryshime të mundshme pronësie në Industrinë e Naftës së Serbisë dhe shprehu bindjen se do të gjendet një zgjidhje pavarësisht sfidave.

Vuçiq njoftoi gjithashtu një paketë masash për pensionistët, përfshirë uljen e kostove të barnave si dhe marrëveshje të reja investimi që pritet të nënshkruhen gjatë vizitës së tij të ardhshme në Kinë.

Në fund, ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të balancojë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të punojë për ruajtjen e stabilitetit dhe rritjes ekonomike në periudhën e ardhshme.