Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se e ka urdhëruar Marinën amerikane të “qëllojë dhe vrasë” çdo mjet të vogël lundrues që kapet duke vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdon.
“Kam urdhëruar Marinën e ShBA-së të qëllojë dhe vrasë çdo varkë... që po vendos mina në ujëra”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se “nuk duhet të ketë asnjë hezitim” në zbatimin e urdhrit.
Ai pretendoi se e gjithë flota detare e Iranit, e përbërë nga 159 anije, ndodhet “në fund të detit” dhe se çdo mjet që vendos mina do të jetë “varkë e vogël”.
Presidenti amerikan urdhëroi gjithashtu trefishimin e menjëhershëm të aktiviteteve për pastrimin e minave detare për të hapur rrugën detare, të cilën Irani e kishte mbyllur në mënyrë efektive pas fillimit të ofensivës ShBA-Izrael më 28 shkurt.


























