Në Shqipëri është organizuar Forumi Ballkanik i Pagesave, një aktivitet me fokus zhvillimet në fushën e pagesave, të inovacionit financiar dhe të transformimit digjital.
Pjesë e aktivitetit të mbajtur në Tiranë ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme, bankave qendrore nga disa vende, të institucioneve financiare ndërkombëtare, industrisë bankare, ekspertë nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Evropian, sipas njoftimit nga Banka e Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se ekonomia globale po transformohet me shpejtësi përmes pagesave të menjëhershme, përmes bankave të hapura dhe përmes inteligjencës artificiale.
"Në këtë transformim, Shqipëria është një nga vendet kryesore të Ballkanit Perëndimor, sepse prej një dekade tani kemi investuar shumë në transformimin digjital të shërbimeve tona publike. Përdorimi i pagesave elektronike në vend po zgjerohet me shpejtësi si te konsumatorët, ashtu edhe te kompanitë", tha Ibrahimaj.
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës Qendrore të Shqipërisë, Holta Zaçaj, sipas njoftimit, e ftuar si folëse kryesore në hapjen e punimeve të këtij forumi, theksoi rolin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit.
"Banka e Shqipërisë ka evoluar ndër vite, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe sot përfaqëson një institucion modern, me sisteme bashkëkohore pagesash, kuadër rregullator të harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik të vendit", është shprehur Zaçaj.






















