Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nisje të vizitës zyrtare në Londër është pritur në takim nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti theksoi se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit.
Ai foli për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.
Kurti theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), si synime strategjike, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.
Kryeministri kosovar e informoi sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën.
Lidhur me dialogun me Serbinë, ai përsëriti tre parakushtet për vazhdimin e procesit, përkatësisht dorëzimin nga Serbia të Milan Radoiçiqit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiq dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Më tej, Kurti theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë.
“Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit”, shtoi ai.


















