Presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian shprehën solidaritet të mërkurën me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) pasi ShBA-ja vendosi sanksione ndaj presidentes së gjykatës dhe një avokati të lartë në zyrën e prokurorit të saj.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, postuan deklarata në platformën e mediave sociale X, duke thënë se qëndrojnë fort me GjNP-në, Presidenten e saj Tomoko Akane dhe zyrtarët e gjykatës.
"GjPN-ja ndihmon në dhënien e drejtësisë viktimave të disa prej krimeve më të tmerrshme në botë. Për të kryer këtë punë thelbësore, gjyqtarët dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa presion të jashtëm", thanë të dy.
Sanksionet e fundit synojnë Akane, një shtetase japoneze, dhe Abdoulaye Seye nga Senegali, një avokat i lartë gjyqësor në Zyrën e Prokurorit, tha gjykata me seli në Hagë në një deklaratë.
Masat janë pjesë e sanksioneve kundër GjNP-së të vendosura nga Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, në shkurt 2025.
Më herët të mërkurën, GjNP-ja i hodhi poshtë me forcë sanksionet e reja të ShBA-së, duke i përshkruar ato si "sulme flagrante" ndaj pavarësisë gjyqësore.
Gjykata shtoi se nëntë nga 18 gjyqtarët e saj, të dy zëvendësprokurorë, ish-prokurori i saj dhe një anëtar i stafit janë aktualisht nën sanksione të ShBA-së.




















