| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Lista Studentore shpall fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi
Kandidati Radomir Saiçiq tha se fitorja e madhe sjell me vete edhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, duke bërë të ditur se që nesër do të nisë puna serioze dhe e vështirë për vendosjen e sundimit të ligjit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Lista Studentore shpall fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi
Lista Studentore shpall fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi

Kandidati i Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Radomir Saiçiq, shpalli sonte fitoren në zgjedhje, duke deklaruar se rezultatet paraprake tregojnë epërsi bindëse të kësaj liste në të gjitha vendvotimet dhe duke e cilësuar rezultatin zgjedhor si “fitore të guximit mbi frikën dhe të shpresës mbi indiferencën”.

Duke iu drejtuar numrit të madh të të pranishmëve në shtabin zgjedhor, Saiçiq theksoi se qytetarët e Serbisë treguan se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti i tyre dhe se pothuajse çdo qytetar, qoftë brenda vendit apo në diasporë, e dha votën e tij dhe përcolli një mesazh të qartë për drejtimin që dëshiron t’i japë vendit.

Ai theksoi se vullneti zgjedhor i popullit duhet të respektohet “pa përjashtim, pa justifikime dhe pa asnjë përpjekje për manipulimin e rezultateve”.

Ai tha se sonte nuk bëhet fjalë vetëm për rezultatet, por edhe për njerëzit që besuan kur ishte më së vështiri, që nuk u dorëzuan kur përpiqeshin t’i bindnin se asgjë nuk mund të ndryshonte dhe që, pavarësisht gjithçkaje, vazhduan të luftonin.

“Kjo është fitore e guximit mbi frikën, fitore e shpresës mbi indiferencën, fitore e besimit se Serbia mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ju falënderoj për çdo hap, çdo orë, çdo sakrificë dhe çdo çast kur zgjodhët të mos dorëzoheni. Falënderoj të gjithë ata që ngritën zërin, që qëndruan pranë njëri-tjetrit dhe që treguan se e ardhmja e këtij vendi nuk u përket vetëm disa personave, por të gjithë qytetarëve të tij. Kjo fitore nuk është trofe personal i askujt. Ajo u përket të gjithëve ne”, tha ai.

Ai paralajmëroi se fitorja e madhe sjell me vete edhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, duke bërë të ditur se që nesër do të nisë puna serioze dhe e vështirë për vendosjen e sundimit të ligjit dhe funksionalizimin e institucioneve.

“Sonte treguam se ndryshimet nuk janë vetëm të mundshme, por se ekziston edhe vullneti për to. Tani duhet të tregojmë se jemi të denjë për besimin që na është dhënë. Studentët fituan. Bashkë me ta fitoi edhe shpresa se Serbia mund të jetë një vend i drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit. Le të jetë kjo natë fillimi i një kapitulli të ri. Një kapitulli në të cilin nuk do të ndahemi në fitues dhe të mundur, por do të ndërtojmë së bashku një vend ku secili ka të drejtën e zërit, të së vërtetës dhe të së ardhmes”, përfundoi ai.

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë