| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Irani paralajmëron përgjigje “disa herë më të fuqishme” ndaj çdo veprimi ushtarak të mundshëm
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare hedh poshtë mundësinë e një operacioni efektiv ushtarak, ndërsa Trump thotë se nuk ka dijeni për deklaratën e ambasadorit amerikan lidhur me sulmet e mundshme gjatë fundjavës.
Irani paralajmëron përgjigje “disa herë më të fuqishme” ndaj çdo veprimi ushtarak të mundshëm
Irani paralajmëron përgjigje “disa herë më të fuqishme” ndaj çdo veprimi ushtarak të mundshëm

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëroi të shtunën se edhe një veprim i kufizuar ushtarak kundër vendit do të shkaktonte një përgjigje “disa herë më të fuqishme”, duke theksuar se forcat e tij të armatosura janë të përgatitura për të vepruar, raportoi agjencia e lajmeve Fars.

Zëdhënësi Hossein Mohebbi i hodhi poshtë “deklaratat armiqësore”, duke thënë se ato synojnë kryesisht mediat dhe se ata që bëjnë kërcënime nuk kanë aftësinë të kryejnë një operacion efektiv në rrethanat aktuale.

“Ata e dinë më mirë se kushdo tjetër se, në rrethanat aktuale, nuk mund të kryejnë një operacion efektiv dhe sigurisht që nuk do t'i arrijnë objektivat e tyre”, tha ai.

Mohebbi deklaroi se çdo përsëritje e veprimeve të mëparshme ushtarake do të përfundonte me disfatë.

“Edhe nëse armiku ndërmerr një veprim të kufizuar, përgjigjja e Iranit do të jetë disa herë më e fuqishme, duke pasur parasysh gatishmërinë aktuale të forcave të armatosura dhe planet operacionale”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Türkiye, Tom Barrack, deklaroi se Uashingtoni mund ta godasë “absolutisht” Iranin që këtë fundjavë, ndërsa presidenti Donald Trump tha se nuk kishte dijeni për mundësinë e ngritur nga i dërguari i tij.

“A mund të ketë një sulm këtë fundjavë? Absolutisht”, tha Barrack, i cili shërben gjithashtu si i dërguar i posaçëm presidencial i ShBA-së për Sirinë dhe Irakun, në një intervistë, pjesë të së cilës qarkulluan në internet të premten.

I pyetur nga gazetarët për këto deklarata dhe nëse kishte ndryshuar qëndrimin e tij për shtyrjen e sulmeve të mundshme deri pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, Trump u duk i habitur.

“Ai ishte ambasadori im?”, pyeti Trump.

“Qenka një njeri mjaft i fuqishëm, mesa duket. Epo, nëse është kështu, unë nuk di asgjë për këtë”, shtoi ai.

Ndërkohë, mediat amerikane kanë raportuar se Uashingtoni dhe Izraeli kanë hartuar plane për të sulmuar Iranin pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Lufta e ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila nisi pas sulmeve të shkurtit, ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare, pavarësisht armëpushimit dhe memorandumit për finalizimin e një marrëveshjeje paqeje, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë