| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
BE-ja: Izraeli të rihapë pikat kufitare të Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare
Bashkimi Evropian dënon sulmin e fundit ajror ndaj spitalit Nasser, duke e cilësuar atë si “thellësisht shqetësues”, dhe thekson se e drejta ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, duhet të respektohet në çdo kohë.
BE-ja: Izraeli të rihapë pikat kufitare të Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare
BE-ja: Izraeli të rihapë pikat kufitare të Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare / Anadolu Agency (Wire)

Bashkimi Evropian i bëri thirrje të premten Izraelit të rihapë të gjitha pikat e kalimit kufitar për në Gaza dhe të lejojë dërgimin e menjëhershëm dhe të papenguar të ndihmës humanitare. BE-ja paralajmëroi se kushtet gjithnjë e më të vështira të dimrit dhe sulmet e vazhdueshme ushtarake po e thellojnë krizën humanitare në enklavën palestineze.

Në një deklaratë, BE-ja shprehu “shqetësim të thellë për krizën e vazhdueshme dhe shkatërruese humanitare në Gaza”, duke thënë se përmbytjet e rënda dhe kushtet dimërore i kanë rënduar edhe më tej kushtet e jetesës së popullsisë tashmë të rraskapitur.

BE-ja dënoi gjithashtu sulmin e fundit ajror ndaj spitalit Nasser, duke e cilësuar atë si “thellësisht shqetësues”.

“BE-ja nënvizon nevojën që e drejta ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, të respektohet në çdo kohë”, thuhet në deklaratë, ku theksohet rëndësia e mbrojtjes së civilëve, infrastrukturës civile, personelit dhe objekteve mjekësore.

BE-ja i kërkoi Izraelit të sigurojë dërgimin e vazhdueshëm të ndihmës humanitare dhe mbështetje për rimëkëmbjen fillestare “në shkallë të gjerë”, si dhe të mundësojë punën e OKB-së, agjencive të saj dhe organizatave humanitare, përfshirë organizatat joqeveritare.

Ajo i bëri thirrje gjithashtu Izraelit të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare humanitare dhe e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. BE-ja theksoi se ndihma duhet të përdoret vetëm për qëllime paqësore dhe se grupet e armatosura nuk duhet ta devijojnë atë.

Në deklaratë thuhet se sulmet ushtarake kanë vijuar edhe një vit pas shpalljes së armëpushimit, ndërsa kufizimet e qasjes kanë kontribuar në mungesën e furnizimeve thelbësore, përfshirë materialet për strehim të përshtatshëm, ilaçet dhe pajisjet mjekësore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë