Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rënë dakord të zhbllokojë 24 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira, por po shmang konfirmimin publik të kësaj lëvizjeje, deklaroi të premten Mohsen Rezaei, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.
Duke folur në një ceremoni përkujtimore në qytetin Dezful, Rezaei tha se konflikti i fundit me Iranin ka rritur pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare dhe ka forcuar kapacitetin e tij parandalues.
Ai pretendoi gjithashtu se Trumpi tashmë ka frikë të negociojë me Teheranin dhe se politika amerikane ndikohet gjithnjë e më shumë nga Izraeli.
Deklaratat e Rezaeit vijnë pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se një memorandum mirëkuptimi i propozuar me ShBA-në do t’i jepte fund konfliktit në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe do të hapte rrugën për negociata mbi lehtësimin e sanksioneve.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i administratës Trumpi tha të premten se Uashingtoni pret të nënshkruajë brenda ditëve të ardhshme një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, e cila pritet të çojë në çmontimin e programit bërthamor iranian.












