| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE
"Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria po shënon përparim mbresëlënës", tha presidentja e Komisionit Evropian
Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE
Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE / َAA

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Von der Leyen dhe komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, folën në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së 2026, të mbajtur në Bruksel me temën "Një Evropë më e gjerë, një Evropë më e fortë".

Duke theksuar se Evropa po kalon një periudhë në të cilën po vihen në provë fuqia dhe pavarësia e saj dhe se vendimet që merren sot do të ndikojnë te brezat e ardhshëm të kontinentit, von der Leyen tha: "Edhe një herë, duhet të kemi guximin dhe largpamësinë për të ndërtuar një Union më të madh".

Duke kujtuar se rreth 30 vjet më parë liderët evropianë diskutonin zgjerimin më të madh në historinë e Unionit, von der Leyen tha se kontinenti përballej me një zgjedhje historike në procesin e rikthimit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore drejt lirisë dhe demokracisë.

Von der Leyen theksoi se zgjerimi i vitit 2004 përmirësoi jetën e miliona njerëzve dhe solli përfitime të rëndësishme ekonomike, krahas lirive.

Duke vënë në dukje se anëtarët e rinj e bënë edhe më të fortë BE-në, von der Leyen tha: "Për herë të parë pas shumë vitesh, kemi përpara një mundësi reale për zgjerim. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit".

Von der Leyen u shpreh gjithashtu: "Shqipëria po shënon përparim mbresëlënës. Moldavia dhe Ukraina po ecin përpara në rrugën evropiane përballë presioneve të jashtëzakonshme".

"Vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit", tha von der Leyen, duke theksuar se një Union më i madh duhet të mbetet një Union i aftë për të vepruar.