Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, do të udhëtojë të hënën në Bruksel për të marrë pjesë në Takimin e Dytë Ministror për Sigurinë dhe Ndërlidhjen Ndërrajonale, që zhvillohet në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Sipas burimeve diplomatike, në takim pritet të marrin pjesë Fidan, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues nga Azerbajxhani, Armenia, Moldavia, Ukraina, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.
Në takim pritet të trajtohen edhe çështje politike që lidhen me ndërlidhjen rajonale.
Fidan pritet ta shprehë gatishmërinë e Türkiyes për të kontribuar në projektet e ndërlidhjes rajonale dhe për ta zgjeruar bashkëpunimin në këtë fushë, duke shfrytëzuar përparësitë e pozicionit të saj gjeostrategjik.
Ai pritet të theksojë gjithashtu nevojën për rivlerësimin e marrëdhënieve Türkiye–BE mbi baza realiste dhe të orientuara drejt rezultateve, për të arritur përparim konkret përballë sfidave globale gjithnjë e më të ndërlidhura.
Fidan do të nënvizojë se ndërlidhja rajonale mund të jetë një fushë bashkëpunimi konstruktiv mes Türkiyes dhe BE-së, si dhe rëndësinë e rifillimit të takimeve të dialogut të nivelit të lartë për transportin dhe energjinë.
Ministri i Jashtëm pritet të flasë edhe për mundësitë që ofrojnë nismat kryesore të ndërlidhjes, përfshirë Korridorin e Mesëm, Rrugën e Zhvillimit, Nismën e Tri Deteve dhe Global Gateway, për lehtësimin e tregtisë botërore dhe integrimin ekonomik.
Ai pritet të riafirmojë qëndrimin e Türkiyes se korridoret e ndryshme të ndërlidhjes duhet të shihen si projekte që plotësojnë njëra-tjetrën dhe kontribuojnë në mirëqenien globale.
Siguria në Detin e Zi, ndër temat kryesore
Në sesionin e dytë të takimit, me temë “Avancimi i angazhimeve për sigurinë në rajonin e Detit të Zi”, pjesëmarrësit pritet ta diskutojnë rëndësinë strategjike të Detit të Zi, situatën e sigurisë në rajon, tregtinë e drithërave, transportin detar, kërcënimet hibride dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Në sesion do të diskutohen edhe masat për forcimin e stabilitetit rajonal.
Fidan pritet të paraqesë vlerësimin e Türkiyes për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj për sigurinë në Detin e Zi. Ai do të theksojë rëndësinë e rolit udhëheqës të vendeve të rajonit në ruajtjen e stabilitetit.
Ai pritet të nënvizojë edhe rolin vendimtar të Konventës së Montreux-së për Ngushticat Turke në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Fidan pritet të bëjë thirrje që bashkëpunimi Türkiye–BE të mos kufizohet në një qasje të bazuar në kushte dhe të zhvillohet mbi bazën e interesave të ndërsjella dhe partneritetit të barabartë.
Ai pritet të theksojë gjithashtu se suksesi i nismave të reja për Detin e Zi do të varet nga konsultimi dhe koordinimi i ngushtë me Türkiyen gjatë hartimit dhe zbatimit të tyre.
Fidan do të paralajmërojë kundër krijimit të strukturave me funksione të mbivendosura. Ai pritet të theksojë se çdo mekanizëm i ri sigurie për Detin e Zi duhet të plotësojë mekanizmat ekzistues dypalësh dhe shumëpalësh, të zhvilluar nën udhëheqjen e vendeve të rajonit.
Fidan pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe në margjinat e takimit ministror.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes mori pjesë edhe në takimin e parë ministror për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në Detin e Zi dhe ndërlidhjen ndërrajonale. Takimi u mbajt në Luksemburg në tetor 2025, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, me pjesëmarrjen e vendeve të Kaukazit dhe Azisë Qendrore.























