Marina iraniane njoftoi të dielën vonë se një cisternë nafte ka goditur një minë detare në lindje të Ngushticës së Hormuzit dhe ka marrë flakë.
Sipas saj, incidenti ndodhi disa orë më parë, ndërsa anija po shkelte kufizimet detare.
Marina paralajmëroi se anijet që tentojnë të lundrojnë nëpër këtë rrugë strategjike ose zonat e kufizuara përreth, pa u koordinuar me forcat e armatosura iraniane, rrezikojnë të godasin mina dhe të marrin flakë.
Më herët të dielën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se dy cisterna nafte kishin goditur mina dhe kishin marrë flakë, teksa po përpiqeshin të kalonin nëpër një rrugë të paautorizuar në pjesën jugore të ngushticës.
Sipas saj, njëra prej tyre, një supercisternë që transportonte më shumë se 2 milionë fuçi naftë bruto, ishte fundosur në pjesën jugore të Gjirit. Garda Revolucionare nuk bëri të ditur emrat e anijeve dhe as detaje për ekuipazhet e tyre.
Irani njoftoi më 12 korrik se kishte mbyllur sërish ngushticën, pasi SHBA-ja rifilloi sulmet ndaj tij. Teherani ka paralajmëruar se do të shënjestrojë anijet që përdorin rrugë të tjera nga ato të përcaktuara prej tij ose që tentojnë të kalojnë pa lejen e autoriteteve iraniane.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor i rëndësishëm për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ndërprerjet e transportit detar nëpër këtë rrugë ujore kanë shtuar shqetësimet për furnizimin global me energji.























