Lideri i partisë izraelite Yashar, Gadi Eisenkot, kërkoi të dielën nisjen e një hetimi për ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhje nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke paralajmëruar se Netanyahu dhe bashkëpunëtorët e tij përbëjnë një “kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm” për demokracinë izraelite.
Eisenkot reagoi ndaj një hulumtimi të transmetuar më herët gjatë ditës nga televizioni izraelit Channel 12, sipas të cilit bashkëpunëtorë të Netanyahut dyshohet se i kanë dhënë policisë informacione mashtruese, me qëllim arrestimin e aktivistëve të partisë Lista e Bashkuar Arabe (Ra’am), gjatë zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Eisenkot kërkoi shpjegime nga policia dhe agjencia e sigurisë Shin Bet. Ai premtoi krijimin e një komisioni hetimor për përfshirjen e dyshuar të Zyrës së Kryeministrit dhe veprimet e institucioneve të sigurisë para dhe gjatë zgjedhjeve.
Ai akuzoi Netanyahun se po i përdor institucionet shtetërore për të ruajtur pushtetin dhe tha se ai nuk duhet të qëndrojë “as edhe një minutë më shumë” në detyrë.
“Për sa kohë që ai është në detyrë, në Izrael nuk do të ketë më zgjedhje të drejta dhe të ligjshme”, shkroi Eisenkot, duke e cilësuar shmangien e zgjedhjeve të tjera nën drejtimin e Netanyahut si çështjen kryesore në negociatat për formimin e koalicionit.
Sipas hulumtimit të Channel 12, shefi i kabinetit të Netanyahut, Ido Norden, kontaktoi zyrën e komisionerit të policisë në prag të zgjedhjeve, duke paraqitur një ankesë për tre aktivistë të Ra’am në jug të Izraelit. Ai e orientoi policinë drejt një burimi informacionesh, ish-punonjës i Zyrës së Kryeministrit.
Televizioni raportoi se policia u mbështet në këto informacione për t’i arrestuar aktivistët, pas bastisjeve në shtëpitë e tyre, pa urdhër të vlefshëm kontrolli apo arrestimi.
Policia pretendoi se aktivistët kishin me vete shuma të mëdha parash dhe kuponë të Ra’am, të cilët synonin të ndikonin te votuesit dhe të siguronin mbështetjen e tyre në zgjedhje.
Sipas hulumtimit, Netanyahu i bëri publike menjëherë akuzat dhe i përsëriti ato gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve. Raportimi ngriti dyshime se zyra e tij kishte ndihmuar në nisjen e çështjes, e cila më pas u përdor për të nxitur pretendimin se arabët po i vjedhin zgjedhjet.
Hulumtimi raportoi gjithashtu se kreu i Shin Bet, David Zini, kishte kërkuar leje për të përgjuar pesë deputetë arabë ditën e zgjedhjeve, duke përmendur dyshimet për ndërhyrje të huaj. Kërkesa ishte refuzuar nga prokurorja e përgjithshme Gali Baharav-Miara.
Eisenkot po zhvillon negociata për formimin e qeverisë, pasi presidenti Isaac Herzog ia besoi zyrtarisht këtë detyrë më 8 nëntor. Ai ka 28 ditë kohë, me mundësi vazhdimi edhe për 14 ditë të tjera.
Blloku i Netanyahut ka 53 nga 120 ulëset në Knesset, ndërsa blloku i Eisenkotit ka 48 dhe partitë arabe 19. Partitë që synojnë t’i japin fund qeverisjes së Netanyahut ende nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e një koalicioni.























