Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi të dielën se Teherani ndodhet në një “luftë të gjithanshme”, duke shtuar se qeveria po përpiqet të kapërcejë vështirësitë.
“Jemi në një luftë të gjithanshme ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë”, tha Pezeshkian në një fjalim televiziv të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Ai shtoi se qeveria ndihet “e turpëruar” për problemet në ekonomi.
“(Presidenti amerikan Donald) Trump thotë me lehtësi se do të vendosin sanksionet më dërrmuese ose më të tmerrshme ndaj Iranit”, deklaroi Pezeshkian.
Ai shtoi se Teherani po “qëndron i palëkundur” dhe po përpiqet t’i shërbejë popullit iranian, pavarësisht asaj që e cilësoi si një “luftë të pabarabartë”.
“Armiku kishte vlerësuar se, nëse Irani do të rrëzohej, do të shndërrohej në Venezuelë. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por Irani u bë një fuqi që mahniti botën me rezistencën, solidaritetin dhe kohezionin e tij”, deklaroi presidenti.
Ai tha gjithashtu se Teherani po punon “me të gjitha forcat për të shmangur ndarjet, konfliktet dhe egot personale”.
Irani dhe ShBA-ja nënshkruan në qershor një memorandum mirëkuptimi përmes ndërmjetësimit të Pakistanit dhe Katarit, duke u dhënë fund armiqësive që nisën në shkurt.
Palët ranë dakord gjithashtu të vazhdonin negociatat për një marrëveshje përfundimtare.
Bisedimet kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zbatimin e memorandumit dhe rregullat e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për eksportet globale të naftës dhe gazit.























