Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua të shtunën se do të pengojë krijimin e një shteti palestinez në Gaza ose Bregun Perëndimor të pushtuar për aq kohë sa të qëndrojë në detyrë.
Deklarata erdhi si përgjigje ndaj Mansour Abbasit, kreut të Listës së Bashkuar Arabe, i cili tha se Palestina ekziston tashmë si shtet dhe njihet nga shumica e botës.
Abbas i bëri thirrje Izraelit dhe ShBA-së që ta njohin gjithashtu Palestinën.
“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të ketë një shtet palestinez të kontrolluar nga Irani, as në Gaza dhe as në Jude e Samari”, tha Netanyahu, duke përdorur termin biblik për territorin e pushtuar.
Duke folur më herët të shtunën në konferencën e përgjithshme të partisë së tij në qytetin arab Tayibe, Abbas tha se partia e tij synonte paqen ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.
“Shteti i Palestinës ekziston dhe bota e njeh”, tha Abbas, duke i bërë thirrje Washingtonit dhe Tel-Avivit që ta njohin gjithashtu.
Deklaratat e Netanyahut vijnë përpara zgjedhjeve për Knessetin, të planifikuara më 27 tetor, ndërsa sondazhet tregojnë se partia e tij Likud dhe partnerët e koalicionit nuk arrijnë 61 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë.
Likud, i cili aktualisht ka 32 mandate, ka shënuar rënie të ndjeshme në sondazhet e fundit. Një sondazh i publikuar të premten e nxori partinë me 20 mandate.
Një sondazh i Channel 13, i publikuar më 19 gusht, parashikoi se Likud dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë dhe ultraortodoksë do të fitonin së bashku 51 mandate, dhjetë më pak se shumica parlamentare.























