| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Universiteti i New Yorkut në Tiranë organizon Panairin e Karrierës
Në ceremoninë e hapjes së panairit në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë.
Universiteti i New Yorkut në Tiranë organizon Panairin e Karrierës
Universiteti i New Yorkut në Tiranë organizon Panairin e Karrierës / AA

Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, ka organizuar Panairin e Karrierës.

Në ceremoninë e hapjes së panairit në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë.

Ambasadori Erciyes në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së panairit u shpreh se si ambasador i Türkiyes në Tiranë është shumë i lumtur që UNYT po nxit profesionalizmin dhe një punë të shkëlqyer.

"Kjo cilësi pune, kjo cilësi në arsimin e lartë në të vërtetë i bashkon dy vendet. Studentët që do të diplomohen këtu (në UNYT), cilësia e lartë e arsimit këtu i bashkon vendet tona. Jam i sigurt se të gjithë ju do të kontribuoni në përmirësimin e marrëdhënieve tona dhe do ta çoni miqësinë turko-shqiptare në një nivel më të lartë", tha ai.

Ambasadori turk theksoi se shpreson se panairi do të krijojë mundësi dhe partneritete të reja për studentët.

"(Panairi) nuk është vetëm një ngjarje rrjetëzimi, është një urë lidhëse midis botës akademike dhe jetës profesionale. Ai bashkon të rinj ambiciozë dhe studentë me jetën profesionale. Është vërtet një mundësi unike për të dyja palët", tha ambasadori Erciyes.

Administratori i UNYT-së, Muhammed Enes Durmus, u shpreh se për një dekadë kanë organizuar panairin. Ai e konsideroi panairin një urë lidhëse midis kompanive, institucioneve, UNYT-së dhe studentëve.

"Maarif është një urë lidhëse midis kulturave, midis vendeve të ndryshme, madje edhe kontinenteve. Si Universitet i New Yorkut në Tiranë, ne jemi ura lidhëse", tha Durmus.

Rektori në detyrë i UNYT-së, prof. asoc. Ilir Kalemaj, tha se në UNYT mësojnë kompetenca dhe aftësi thelbësore si përshtatshmëria, të menduarit kritik dhe një mentalitet global, sipas tij, duke trajnuar udhëheqësit e së nesërmes.

"Ajo që shihni nuk është thjesht një mbledhje kompanish dhe stendash. Është një treg mundësish.Të gjitha ëndrrat e karrierës fillojnë në universitet. Dhe, sigurisht, nga këtu deri në pafundësi janë mundësitë që ju (studentët) të mund të shkëlqeni në karrierat tuaja të ardhshme. Tregu në zhvillim sot është si lokal ashtu edhe global, kështu që aftësitë tuaja që po fitoni janë të gjitha të nevojshme për tregjet lokale dhe globale", u shpreh Kalemaj.

Sipas UNYT-së, ngjarja do t'u japë studentëve mundësinë të takohen me punëdhënës potencialë, të eksplorojnë mbi karrierën e tyre, të mësojnë më shumë rreth industrive të ndryshme dhe se shërben si një urë e rëndësishme midis jetës akademike dhe tregut të punës.

Panairi i Karrierës në UNYT, i organizuar edhe në vitet e kaluara, mbledh së bashku një rrjet të gjerë kompanish, institucionesh dhe organizatash, duke krijuar sipas universitetit një hapësirë të rëndësishme për studentët që të lidhen me botën profesionale.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë