| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Marta Kos: Mali i Zi në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE
"Kjo është arritja juaja këtu në Mal të Zi. Keni krijuar vrull të ri për zgjerimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor", tha komisionerja evropiane për zgjerimin në takimin ministror të Procesit të Berlinit.
Marta Kos: Mali i Zi në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE
Marta Kos: Mali i Zi në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos tha në Takimin Ministror të Procesit të Berlinit se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe se në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, që pritet të mbahet në mes të tetorit, pritet të mbyllen edhe disa kapituj të tjerë negociues.

"Ju tashmë keni mbyllur 18 kapituj negociues dhe presim që edhe disa kapituj të tjerë të mbyllen në konferencën e ardhshme ndërqeveritare në mes të tetorit. Tani jeni vendosur fuqishëm në fazën përfundimtare, prandaj vazhdoni të investoni të gjithë energjinë tuaj për përfundimin me sukses të negociatave", tha Kos në fjalimin e saj në Takimin Ministror të Procesit të Berlinit në Budvë të Malit të Zi.

Ajo shtoi se përparimi i Malit të Zi i ka dhënë vrull të ri politikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. "Kjo është arritja juaja këtu në Mal të Zi. Keni krijuar vrull të ri për zgjerimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor", tha ajo.

Duke folur për politikën e zgjerimit, ajo tha se arsyet gjeopolitike dhe parimi i bazuar në merita nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. 

"Gjeopolitika përcakton pse zgjerimi është i rëndësishëm dhe sa urgjentisht duhet të veprojmë. Ndërsa ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimit të bazuar në merita, sepse pikërisht meritat përcaktojnë kushtet, kush është i gatshëm të anëtarësohet dhe kur", tha Kos.

Ajo theksoi se viti 2026 tashmë është një vit rekord sa i përket hapjes dhe mbylljes së kapitujve negociues.

"Nëntë muaj pas fillimit të vitit, tashmë kemi hapur ose mbyllur më shumë kapituj se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit", tha komisionerja evropiane, duke shtuar se zgjerimi nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë së demokracive evropiane.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi dhe nikoqiri i takimit, Ervin Ibrahimoviq tha se Mali i Zi duhet të punojë për reformat.

"Ende duhet të punojmë për reformat, por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është ulja e tensioneve politike. Na pret ende punë në kuadër të integrimit evropian ndërsa procesin e transformimit duhet ta përgatisim ne vetë", tha Ibrahimoviq.

Takimi Ministror i Procesit të Berlinit, i cili mbledh ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, BE dhe organizatave rajonale, filloi sot në Budvë të Malit të Zi.

Nikoqir i takimit është ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq ndërsa në fillim të takimit foli edhe komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos. Mali i Zi në vitin 2026 për herë të parë kryeson Procesin e Berlinit, i cili u nis në vitin 2014. Kryesimi do të përfundojë me samitin e liderëve, të paralajmëruar për 22 tetor.

Procesi i Berlinit mbledh qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëntë shtete anëtare të BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, me mbështetjen e fuqishme të organizatave rajonale, si dhe të Gjermanisë si iniciatore e kësaj nismeje dhe përfaqëson një platformë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe bashkëpunimit me BE-në në një sërë fushash të politikave, për të mbështetur vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe për t'u sjellë përfitime konkrete qytetarëve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë