| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Konjufca: Kosova është e gatshme të ecë përpara në rrugën evropiane
“Përparimi që kemi shënuar duhet të reflektohet tani në hapa konkretë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim”, tha kryediplomati kosovar Konjufca.
Konjufca: Kosova është e gatshme të ecë përpara në rrugën evropiane
Konjufca: Kosova është e gatshme të ecë përpara në rrugën evropiane

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Republika e Kosovës është e gatshme të ecë përpara në rrugën evropiane bazuar në meritë, ku përparimi vlerësohet në bazë të rezultateve.

Konjufca këto deklarata i ka bërë në takimin e ministrave të jashtëm në Malin e Zi, të organizuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ervin Ibrahimoviq, së bashku me ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul, Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos dhe ministra tjerë të jashtëm nga rajoni.

Konjufca tha se në mesazhin e tij në këtë takim ka deklaruar se Kosova është e gatshme të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, të bazuar në meritë.

“Republika e Kosovës është e gatshme të ecë përpara në rrugën evropiane, të bazuar në meritë, ku përparimi vlerësohet mbi bazën e rezultateve. Përparimi që kemi shënuar duhet të reflektohet tani në hapa konkretë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim”, tha Konjufca.

Ai ka thënë se bashkëpunimi rajonal duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor (WB6), zbatimin e çdo zotimi dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo komuniteti.

“I njëjti standard duhet të zbatohet edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët vazhdojnë të përballen me pasivizimin e adresave, pengesa në njohjen e diplomave dhe përfaqësim të pamjaftueshëm në institucionet shtetërore. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, ka thënë Konjufca.

Takimi i cili organizohet nën patronazhin e ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq në Budva, vjen si pjesë e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Mali i Zi për vitin 2026, i cili synon avancimin e reformave dhe integrimin evropian të rajonit, dhe do të përmbyllet me samitin e liderëve më 22 tetor 2026.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë