Java e Inovacionit të Türkiyes (TIW26) do të mbledhë ekspertë nga mbarë bota në Istanbul më 15-17 tetor për të diskutuar transformimet gjithëpërfshirëse të inteligjencës artificiale në botën e biznesit.
Samiti, i organizuar nga Asambleja e Eksportuesve të Türkiyes (TIM), do të fokusohet në mënyrën se si inteligjenca artificiale po riformëson modelet e biznesit dhe strukturat korporative.
Anadolu është partneri global i komunikimit i kësaj ngjarje.
Ish-profesori i Shkollës së Biznesit të Harvardit, Prithwiraj Choudhury do të diskutojë të ardhmen e punës, duke u përqendruar në mënyrën se si punonjësit do të ndërveprojnë me agjentët autonomë të inteligjencës artificiale në vendin e punës.
Strategu i inteligjencës artificiale, Daron Yondem, i cili ka punuar për transformimin e inteligjencës artificiale dhe organizatave pas angazhimit të tij në Microsoft, do të shqyrtojë epokën e re të inteligjencës artificiale dhe mënyrën se si teknologjia po kalon nga gjenerimi i përmbajtjes drejt ekzekutimit të drejtpërdrejtë të detyrave.
Eksperti global, Andreas Wil Gerdes do të trajtojë ndryshimet më të gjera strukturore në fuqinë punëtore, përfshirë zgjerimin e punës në distancë dhe rritjen e stilit të jetesës së nomadëve digjitalë.
Në ngjarje do të shqyrtohet gjithashtu mënyra se si inteligjenca artificiale po transformon industritë kreative, ndërsa ish-ekzekutivi i Warner Bros, Jason Bevan, do të ndajë njohuri nga përvoja e tij në marketingun e ekskluziviteteve si Harry Potter, Joker dhe The Dark Knight në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë (EMEA).
Në listën e folësve përfshihen gjithashtu themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Hacking HR, Enrique Rubio, themeluesja e AI Institute, Maryrose Lyons, themeluesja dhe shefja ekzekutive i Galaxy for Technology, Reema Diab, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i AQai, Ross Thornley, themeluesja e RoRemote, Rowena Hennigan si dhe themeluesja e Remote Work Europe, Maya Middlemiss.
Ekspertët do të trajtojnë çështjet që po formësojnë të ardhmen e biznesit global, nga mobiliteti global i talenteve dhe puna në distancë deri te qeverisja e inteligjencës artificiale.





















