| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Nisin javën e ardhshme punimet për interkoneksionin e gazit Serbi–Maqedoni e Veriut
"Synimi ynë ishte që në tremujorin e parë të vitit 2028 ta kemi të përfunduar", tha ministrja serbe, Gjedoviq Handanoviq.
Nisin javën e ardhshme punimet për interkoneksionin e gazit Serbi–Maqedoni e Veriut
Nisin javën e ardhshme punimet për interkoneksionin e gazit Serbi–Maqedoni e Veriut

Vendosja e tubave të parë për interkoneksionin e gazit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nisë javën e ardhshme në një segment prej pesë kilometrash në afërsi të Banjës së Vranjës, njoftoi ministrja e Energjisë e Serbisë në mandatin teknik, Dubravka Gjedoviq Handanoviq.

Ajo, pas Samitit të Dytë të ministrave të Energjisë të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Beograd, tha se bëhet fjalë për fillimin e punimeve në gazsjellësin me gjatësi totale prej 145 kilometrash.

Sipas saj, deri në fund të tetorit do të dorëzohen tubat për 15 kilometra të interkoneksionit të gazit, por për vazhdimin e punimeve sipas dinamikës së planifikuar është e nevojshme që Srbijagas të zgjidhë çështjet e mbetura të shpronësimit.

"Synimi ynë ishte që në tremujorin e parë të vitit 2028 ta kemi të përfunduar interkoneksionin e gazit, por për ta realizuar këtë është e nevojshme të përfundojnë të gjitha proceset që lidhen me shpronësimin", tha Gjedoviq Handanoviq.

Ajo tha se interkoneksioni i gazit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027, duke theksuar se Greqia përfaqëson hyrjen për furnizimin e Evropës Qendrore me sasi më të mëdha gazi përmes Ballkanit.

Në takimin e ministrave u diskutua edhe për interkoneksione të reja për transmetimin e energjisë elektrike, para së gjithash për ndërtimin e Korridorit Ballkanik. Gjedoviq Handanoviq tha se drejtimi i ri i rrjetit të transmetimit prej 400 kilovoltësh do të mundësojë shkëmbim më të madh dhe më efikas të energjisë elektrike.

"Bullgaria dhe Greqia janë anëtare të BE-së dhe mund t'i ndihmojnë Serbisë dhe Maqedonisë nga kjo pikëpamje kur bëhet fjalë për dialogun për sektorin e energjisë dhe lidhjen me tregun e energjisë elektrike", tha ajo.

Ministri grek i Energjisë, Stavros Papastavrou theksoi se vendi i tij e mbështet integrimin e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Evropë. "Interkoneksioni dhe bashkëpunimi rajonal në fushën e energjisë janë të domosdoshme dhe pjesë integrale për t'u mundësuar vendeve tona të kenë energji të sigurt", tha Papastavrou.

Ministrja e Energjisë e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska tha se vendi pret që deri në mesin e vitit të ardhshëm të përfundojë interkoneksioni i gazit me Greqinë, si dhe të arrihet marrëveshje me Serbinë.

Ajo shtoi se deri në vitin 2028 priten rrugë alternative të furnizimit për Evropën Jugore dhe Qendrore si dhe përgatitja e infrastrukturës për përdorimin e gazit dhe hidrogjenit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë