| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulmet me dronë gjatë natës, dy të vrarë
Autoritetet e Moskës pretendojnë se 650 dronë fluturuan drejt kryeqytetit rus dhe rajonit përreth mes “një prej sulmeve më të mëdha me dronë”.
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulmet me dronë gjatë natës, dy të vrarë
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulmet me dronë gjatë natës, dy të vrarë

Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot akuza lidhur me sulmet ajrore gjatë natës, të cilat kanë shkaktuar të paktën dy viktima në rajonin përreth Moskës, sipas autoriteteve lokale.

Në një deklaratë në Telegram, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov pretendoi se 185 dronë u rrëzuan në 16 komuna të rajonit, i cili gjatë natës u përball me një sulm me dronë.

“Raportet paraprake tregojnë për gjashtë të plagosur. Për fat të keq, ka edhe një viktimë.

 Një 20-vjeçar humbi jetën në vendbanimin Radumlya (rrethi Solnechnogorsky) si pasojë e sulmit”, tha Vorobyov. Më vonë, ai e përditësoi numrin e të vrarëve në rajon në dy dhe të plagosurve në nëntë, duke theksuar se “një prej sulmeve më të mëdha me dronë” dëmtoi gjithashtu 47 shtëpi private në shtatë komuna.

Veçmas, kryetari i Moskës, Sergey Sobyanin pretendoi se 650 dronë fluturuan drejt rajonit të Moskës nga ora 20:30 të hënën deri në orën 05:00 të martën ndërsa 105 prej tyre u shkatërruan teksa i afroheshin kryeqytetit. Më vonë, ai raportoi se edhe 29 dronë të tjerë u rrëzuan teksa po drejtoheshin drejt Moskës.

Autoritetet lokale raportuan se një person u plagos në rajonin e Smolenskut ndërsa dy të tjerë u plagosën në rajonin kufitar rus të Bryanskut si pasojë e sulmeve gjatë natës. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 868 dronë ukrainas gjatë natës në 11 rajone si dhe mbi Detin e Azovit dhe Krime, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Ajo pretendoi se sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë goditën një magazinë në rajonin jugor ukrainas të Odesës si dhe një anije transporti mallrash në portin e Çornomorskut dhe infrastrukturën e ankorimit në portin e Izmailit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë