Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sot para Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë për të kërkuar nga deputetët e Legjislaturës së 11-të miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Platforma “Jo në emrin tim“ bëri thirrje që qytetarët të mblidhen në shesh për të kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga deputetët në mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Po ashtu, që nga ora 9 e mëngjesit edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve që të mblidhen duke theksuar se “duhet të jenë të bashkuar dhe me dinjitet”.
Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” ka paralajmëruar se protesta nuk do të ndalet nëse nuk zgjidhet sot çështja e presidentit me ç’rast vendi do të shkonte në zgjedhje.
Haziri me të nisur protesta në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, ka thënë se nuk do të lejojnë që të ketë fushatë e as tubime të zakonshme po që se nuk arrihet marrëveshje për presidentin.
Ai më tej ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për dhunë ndaj protestuesve nëpërmjet Policisë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme pas votimit në lexim të parë të Projektligjit për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, nuk u arrit marrëveshje midis krerëve të partive Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës që ajo të votohet edhe në lexim të dytë, si rrjedhojë protesta jashtë ambienteve të Kuvendit u përshkallëzua.
Policia e Kosovës në një komunikatë me të dhënat nga protesta njoftoi se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.
Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës.
Më 16 shtator, Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.





















