Një sulm masiv me 650 dronë shënjestroi Moskën dhe rajonin përreth gjatë natës, duke lënë të vdekur një person, thanë të martën autoritetet ruse.
Guvernatori rajonal, Andrei Vorobyov, tha se një 20-vjeçar humbi jetën në një fshat në periferi të Moskës, ndërsa disa banesa u dëmtuan. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi gjithashtu se gjashtë persona u plagosën.
Agjencia shtetërore TASS e përshkroi sulmin si sulmin e dytë më të madh me dronë ndaj Moskës dhe rajonit përreth në dy vitet e fundit.
Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar muajt e fundit sulmet me rreze të gjatë veprimi, duke shënjestruar infrastrukturë civile dhe industriale, përfshirë objektet energjetike, të transportit dhe portuale, si dhe anije në Detin e Zi.
Rusia ka deklaruar se planifikon të shtojë sulmet ndaj objektivave të infrastrukturës, përfshirë në Kiev, ndërsa afrohet dimri.























