| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
IEA-ja: Mbi 80 për qind e rezervave emergjente të naftës janë hedhur tashmë në treg
Rreth 325 milionë nga 400 milionë fuçi të premtuara në mars janë liruar, thotë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
IEA-ja: Mbi 80 për qind e rezervave emergjente të naftës janë hedhur tashmë në treg
IEA-ja: Mbi 80 për qind e rezervave emergjente të naftës janë hedhur tashmë në treg

Më shumë se 80 për qind e rezervave emergjente të naftës, të premtuara nga vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në mars, janë hedhur tashmë në treg, tha të premten kreu i agjencisë.

“Rreth 325 milionë fuçi nga masa kolektive e IEA-së, e shpallur më 11 mars, janë liruar deri tani”, u tha drejtor ekzekutiv Fatih Birol udhëheqësve të G7-ës, sipas një deklarate të agjencisë.

Birol tha se kjo përfaqëson më shumë se 80 për qind të 400 milionë fuçive të premtuara fillimisht.

Sipas tij, tregjet e energjisë vijojnë të përballen me presion të konsiderueshëm për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit, veçanërisht sa i përket furnizimit me naftë dizel.

Sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë shtuar më tej presionin mbi tregun e dizelit, duke kufizuar furnizimet dhe rritur çmimet, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Në mars, IEA-ja ra dakord të lironte 400 milionë fuçi nga rezervat emergjente për të kompensuar ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si lirimin më të madh të koordinuar të rezervave në historinë e saj.

Të premten, vendet e G7-ës ranë dakord të lirojnë, përmes IEA-së, 100 milionë fuçi naftë dhe karburante nga rezervat emergjente gjatë një periudhe katërmujore.

Sipas deklaratës së publikuar pas një takimi virtual të udhëheqësve të grupit, një pjesë e konsiderueshme e rezervave të dizelit pritet të hidhet në treg gjatë 20 ditëve të para të masës.

G7-a ra dakord gjithashtu të koordinojë mirëmbajtjen e rafinerive dhe të shmangë vendosjen e kufizimeve ndaj eksporteve të energjisë mes vendeve anëtare.

Udhëheqësit e G7-ës i kërkuan gjithashtu IEA-së të monitorojë zbatimin e masave të reja dhe të raportojë mbi ndikimin e tyre brenda 20 ditësh.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë