Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri informon se rreziku për zjarre në pyje pritet të jetë në nivelin “i moderuar” sot pasdite dhe nesër në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.
Sipas parashikimit të IGjEO-së, në qarqet e tjera niveli i rrezikut pritet të jetë “i ulët”. Rreziku për zjarre parashikohet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme, e martë, 6 tetor.
Sa i përket situatës meteorologjike, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme nuk priten reshje në vend.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë nesër në 13-25° Celsius në zonat bregdetare, 9-27° C në vendet e ulëta dhe 6-25° C në zonat malore.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.























