| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosova prezanton platformën e identitetit elektronik dhe kuletën digjitale me mbështetjen e BE-së
Në ceremoninë e prezantimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se me lançimin e kësaj platforme Kosova shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital.
Kosova prezanton platformën e identitetit elektronik dhe kuletën digjitale me mbështetjen e BE-së
Kosova prezanton platformën e identitetit elektronik dhe kuletën digjitale me mbështetjen e BE-së/ AA

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka prezantuar Platformën Nacionale të Identitetit Elektronik dhe Kuletën Digjitale, projekt i realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE).

E zhvilluar në përputhje me standardin evropian eIDAS, platforma mundëson identifikimin elektronik, autentikimin e sigurt dhe nënshkrimin elektronik të dokumenteve, duke lehtësuar qasjen e sigurt në shërbimet publike dhe private digjitale.

Në ceremoninë e prezantimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se me prezantimin e kësaj platforme Kosova shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital.

Kurti tha se në një kohë kur gjithnjë e më shumë veprimet kryhen në internet, është e domosdoshme që shteti të ketë mënyra më të besueshme për identitetin qytetar.

“Kuleta digjitale krijon mundësi për përdorimin e identitetit dhe të kredenciale ndërsa nënshkrimi elektronik mundëson firmosjen e dokumenteve pa pasur nevojë për letër dhe prani fizike. Këto zgjidhje përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së besimit digjital të Kosovës mbi të cilën ndërtohen shërbime më të avancuara si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, theksoi Kurti.

Tutje Kurti tha se ky shërbim redukton vizitat në institucione, dokumente fizike dhe procedura të panevojshme, ku në këtë lehtësim përfshihet edhe diaspora kosovare.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, tha se ky investim është në kuadër të partneritetit të BE-së me Kosovën.

Schuebel tha se ky projekt është bërë me mbështetjen prej 2,3 milionë eurosh nga BE-ja.

“Falë këtij partneriteti qytetarët e Kosovës tani mund të kenë një identitet të sigurt digjital në telefonat e tyre. Ata mund ta përdorin atë për të nënshkruar dokumente në mënyrë elektronike me efekt të njëjtë sikur nënshkrimi fizik”, theksoi Schuebel i cili shtoi se kjo platformë do ta pakësojë përdorimin e letrës.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu tha se sot po lansohet një nga shtyllat më të rëndësishme të transformimit digjital të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, platformën kombëtare të identifikimit elektronik “eID” dhe kuletën digjitale.

“Përmes nënshkrimit elektronik do të mund të nënshkruajmë dokumente nga distanca, ndërsa përmes vulës elektronike bizneset dhe organizatat do të mund të vulosin dokumentet e tyre në mënyrë digjitale. Kjo hapë rrugën për largimin gradual të letrës dhe digjitalizimin e plotë të proceseve administrative dhe atyre afariste”, tha Jagxhiu.

Me prezantimin e kësaj platforme, Kosova synon të avancojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe private, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve kryerjen e procedurave administrative në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe pa pasur nevojë për dokumente fizike.