Zonja e parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, ka bërë thirrje për përpjekje globale për mbrojtjen e fëmijëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonat e konfliktit, duke theksuar se nevojat e tyre duhet të mbeten në qendër të agjendës ndërkombëtare.
“Si përfaqësues të më shumë se 100 vendeve, jemi mbledhur këtu për të ofruar mundësi të drejta dhe të barabarta për të gjithë fëmijët në mbarë botën dhe për t’u dhënë zë nevojave të tyre”, tha Erdoğan në Samarkand, gjatë Samitit Botëror për Investimin në Mirëqenien e Fëmijëve: Një Rrugë drejt Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Barabartë për Brezat e Ardhshëm.
“Le ta ngremë zërin për të trajtuar problemet e fëmijëve që jetojnë në zonat e luftës, të cilët nuk mund të ëndërrojnë as për një të ardhme”, shtoi ajo.
Erdoğan tha se investimi në mirëqenien e fëmijëve lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen e një shoqërie, duke theksuar se treguesit tradicional duhet të rivlerësohen për të pasqyruar sfidat me të cilat përballen fëmijët sot.
Ajo tha se qasja në ushqim, strehim, siguri, arsim dhe kujdes shëndetësor mbetet thelbësore, ndërsa duhet të merren parasysh edhe ndryshimet klimatike, konfliktet e armatosura, zhvendosja me forcë dhe kërcënimet e reja digjitale.
Ajo përmendi ankthin e shkaktuar nga klima, inteligjenca artificiale, dhuna digjitale dhe shfrytëzimi i vëmendjes si sfida të reja që kërkojnë një kuptim më të gjerë të mirëqenies së fëmijëve.
700.000 nxënës në Gaza janë privuar nga e drejta për arsim
Erdoğan u bëri thirrje pjesëmarrësve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë fëmijëve që jetojnë në kushte lufte, duke theksuar kontrastin e thellë mes fëmijëve që ndjekin shkollën në disa pjesë të botës dhe atyre që detyrohen të ikin nga sirenat e sulmeve ajrore në vende të tjera.
Ajo tha se 60 për qind e vdekjeve nga kanceri në fëmijëri ndodhin në zonat e prekura nga konfliktet e armatosura.
Erdoğan theksoi se më shumë se 21.000 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë tre viteve të fundit dhe shtoi se më shumë se 10.000 të tjerë kanë mbetur me aftësi të kufizuara të përhershme ose kanë humbur gjymtyrët.
“Fëmijëve në Gaza u është vjedhur fëmijëria”, shtoi ajo.
Ajo tha se 197 ambulanca, 38 spitale dhe 96 qendra shëndetësore janë bombarduar dhe janë bërë të papërdorshme.
“Rreth 700.000 nxënës janë privuar nga e drejta e tyre për arsim. Sot, më shumë se 1 milion fëmijë në Gaza jetojnë me shpresën se do të mund t’i gëzojnë të drejtat dhe kushtet e nevojshme për mirëqenien e fëmijëve”, theksoi ajo.
“Një botë ku askush nuk mbetet pas është e mundur vetëm kur sirenat e luftës të heshtin”, shtoi ajo
Erdoğan falënderoi Ziroat Mirziyoyeva, bashkëshorten e presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, për organizimin e samitit dhe shprehu shpresën se ky takim do të sjellë përfitime për fëmijët dhe njerëzimin.
Samiti mblodhi përfaqësues nga më shumë se 100 vende. Në të morën pjesë gjithashtu ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Türkiyes, Mahinur Ozdemir Goktas, si dhe kryetarja e bordit drejtues të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë NUN, Esra Albayrak.
Türkiye, një nga vendet e para që ndërmori hapa për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e botës digjitale
Më tej, Erdoğan tha se Türkiye po zhvillon politika sociale që i adresojnë nevojat fizike, mendore, emocionale dhe morale të fëmijëve.
Ajo theksoi se viti 2025 ishte shpallur Viti i Familjes, ndërsa periudha 2026-2035 ishte përcaktuar nga Türkiye si “Dekada e Familjes dhe e Popullsisë”.
Ajo theksoi gjithashtu Konventën e Türkiyes për të Drejtat Digjitale të Fëmijëve, duke shtuar se vendi ishte ndër të parët që ndërmori hapa për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e botës digjitale.
Erdoğan tha se Türkiye kishte kufizuar qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe kishte vendosur detyrime për platformat, përfshirë verifikimin e moshës dhe kontrollet prindërore.
Zonja e parë përmendi gjithashtu Projektin e Familjeve Kujdestare të vendit, për të cilin tha se ofron kujdes për më shumë se 11.000 fëmijë, përfshirë edhe fëmijët e zhvendosur për shkak të luftës.
“Fëmijët janë zemra e njerëzimit. Çështjet që lidhen me ta duhet të mbeten gjithmonë në qendër të agjendës globale”, tha ajo.




























