| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Türkiye synon të arrijë pavarësi të plotë hapësinore me konstelacion e infrastrukturë hapësinore
Bayraktar deklaroi se Türkiye është shndërruar nga një importuese e teknologjisë në vitin 2002 në një prodhuese globale të teknologjisë së hapësirës ajrore.
Türkiye synon të arrijë pavarësi të plotë hapësinore me konstelacion e infrastrukturë hapësinore
Türkiye synon të arrijë pavarësi të plotë hapësinore me konstelacion e infrastrukturë hapësinore./ AA

Türkiye po investon në infrastrukturën e saj të pavarur hapësinore përmes një konstelacioni të ri vendas satelitësh për pozicionim, tha të hënën një përfaqësues i sektorit, me më shumë se 100 mjete hapësinore për të garantuar sovranitetin e saj në orbitë.

Haluk Bayraktar, kryetar i klasterit të industrisë së mbrojtjes SAHA Istanbul, deklaroi se Türkiye është shndërruar nga një importuese e teknologjisë në vitin 2002 në një prodhuese globale të teknologjisë së hapësirës ajrore, ndërsa niveli i prodhimit vendas është rritur nga 20 për qind në 80 për qind gjatë dy dekadave të fundit.

Duke folur në hapjen e Kongresit të 77-të Ndërkombëtar të Astronautikës (IAC 2026) në qytetin jugperëndimor Antalya, Bayraktar tha se eksportet vjetore të Türkiyes në fushën e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore janë rritur nga 250 milionë dollarë në plot 11 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë.

“Tani arrijmë në vetëm një javë nivelin e eksporteve që në vitin 2002 e prodhonim gjatë një viti të tërë. Ajo që nisi në një punishte të vogël nga një grusht inxhinierësh të rinj u shndërrua në përpjekje për të projektuar dhe prodhuar me mjete vendase komponentët kritikë të mjeteve ajrore pa pilot (UAV), duke e bërë Türkiyen një lider në këtë fushë, e cila përbën 65 për qind të tregut global të eksporteve të UAV-ve, si dhe një vend që eksporton teknologji në më shumë se 40 vende”, tha ai.

Bayraktar tha se filozofia e zhvillimit fleksibël po i jep fuqi ekosistemit industrial turk, i cili tashmë po shtrihet edhe në orbitë për të reduktuar varësinë nga teknologjia hapësinore e huaj.

“Po ndërtojmë një infrastrukturë të fuqishme hapësinore me satelitët tanë të komunikimit dhe një konstelacion pozicionimi prej 100 satelitësh për të krijuar një sistem të pavarur navigimi”, tha ai, duke shtuar se vendi tashmë ka zhvilluar kapacitete që variojnë nga raketat sondë që arrijnë lartësi mbi 100 kilometra deri te mjetet vendase hibride për transferim orbital.

Ai përmendi se tema e IAC-së këtë vit është “Bota ka nevojë për më shumë hapësirë”, për të cilën mendon se ka dy kuptime.

“Qasje, në kuptimin që më shumë vende të arrijnë në orbitë me kosto më të ulët, dhe hapje e mundësive, në kuptimin e më shumë bizneseve të vogla në zinxhirin e furnizimit dhe inxhinierëve të rinj në tryezë, si dhe vendeve të cilave dikur u thuhej se hapësira nuk ishte për to”, theksoi ai.

Ai shtoi se Türkiye po investon në talentet e reja përmes nismave si TEKNOFEST, aktiviteti kryesor i mbrojtjes dhe aviacionit, i cili së fundmi organizoi për herë të parë një aktivitet në juglindje të vendit dhe tërhoqi 1,6 milionë aplikime nga studentët për garat e inxhinierisë dhe raketarisë.