Institucionet turke në Shqipëri kanë shënuar Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe të Fëmijëve, që në Türkiye shënohet si festë shtetërore, raporton Anadolu.
Fillimisht, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, është takuar me nxënës të shkollës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, në ambientet e zyrës së tij në ambasadë.
Ambasadori turk priti nxënësit Kerem Deniz Ozdogan dhe Elisa Lal Demirpolat ndërkohë të pranishëm ishin këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Gokmen Aksakal, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Ozbaysar, administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, "New York Schools", Hasan Dede dhe mësues.
Një aktivitet për 23 Prillin u organizua edhe nga shkollat e Fondacionit Turk Maarif, "New York Schools" në Tiranë, ku të pranishëm ishim përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, mësues, nxënës dhe prindër.
Në fjalën e tij në aktivitet ambasadori Erciyes u shpreh se sot janë mbledhur për të festuar 106-vjetorin e hapjes së Asamblesë së Madhe Kombëtare Turke dhe për festën kushtuar fëmijëve.
"(Mustafa Kemal) Ataturku shprehu besimin e tij tek fëmijët me këto fjalë unike: 'Ju jeni të gjithë trëndafilat, yjet dhe fenerët e shpresës për të ardhmen, ju jeni ata që do ta ndriçoni vërtet vendin. Punoni përshtat me rrethanat duke pasur parasysh se sa të rëndësishëm dhe të vlefshëm jeni ju. Ne presim shumë nga ju'", tha ambasadori Erciyes.
Erciyes u shpreh se ardhmja, lumtura dhe paqja e një vendi është e tëra e lidhur ngushtë me mirëqenien, dashurinë dhe paqen e fëmijëve të atij vendi. "Dashuria dhe dashamirësia e shtetit turk për shtetin shqiptar është pikërisht sot këtu me ne", shtoi ndër të tjera ambasadori turk.
Administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, "New York Schools", Hasan Dede, në fjalën e tij tha se sukseset e shkollës në udhëtimin e saj edukativ po rriten në mënyrë eksponenciale çdo ditë. Sipas tij, nxënësit e shkollave Maarif po arrijnë rezultate "që na bëjnë krenarë jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në skenën ndërkombëtare".
"23 Prilli është emri i asaj dite të bekuar kur kombi ynë mori fatin e tij në duart e veta, kur sovraniteti iu transferua pa kushte kombit. Në të njëjtën kohë, kjo ditë e veçantë është një simbol i besimit tonë në një të ardhme të ndritur, ku farat e paqes, dashurisë dhe vëllazërisë mbijnë në zemrat e pafajshme të fëmijëve", tha Dede.
Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë, Ermira Milori, theksoi se Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe e Fëmijëve është ditë kaq e veçantë për kombin turk.
"Unë vij pikërisht nga një evenimet që shteti turk organizon në kuadër të kësaj dite, për 23 Prillin. Shkolla jonë e baletit ishte e ftuar me ftesë të presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan në Ankara për festimet në kuadër të kësaj dite, ku 26 shtete mblidheshin dhe festonin në kuadër të kësaj dite për sa i përket kulturave që ata shkëmbenin me njëri-tjetrin", tha ajo.
Milori shtoi se institucionet arsimore të Fondacionit Maarif kanë arritje edhe në qytetin e Tiranës, ku sipas saj “janë përfaqësuar denjësisht në nivele shumë të larta sa u përket olimpiadave shkencore”.
Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet në Turqi më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Türkiyes. Në këtë ditë në vitin 1924, u vendos që data e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të shënohet si festë kombëtare. Më 23 prill 1929, kjo festë iu është dhuruar fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Dita e Fëmijëve.






















