| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Pesë vende të BE-së shpallin planet për qendrën e parë të kthimit të migrantëve jashtë Evropës
Gjermania, Austria, Danimarka, Greqia dhe Holanda njoftuan përpjekjet për krijimin e qendrës së parë të kthimit në Ruandë për azilkërkuesit e refuzuar, duke e cilësuar atë si “hap vendimtar” drejt një sistemi të ri.
Pesë vende të BE-së shpallin planet për qendrën e parë të kthimit të migrantëve jashtë Evropës
Pesë vende të BE-së shpallin planet për qendrën e parë të kthimit të migrantëve jashtë Evropës/ AA / َAA

Pesë vende evropiane dhe Ruanda njoftuan të hënën se po e shqyrtojnë mundësinë e krijimit të qendrës së parë të kthimit jashtë Evropës, me synimin për të arritur një marrëveshje dhe për ta filluar transferimin e azilkërkuesve të refuzuar deri në vitin 2027.

Austria, Danimarka, Gjermania, Greqia dhe Holanda thanë në një deklaratë të përbashkët, të publikuar nga Ministria daneze e Emigracionit, se qendra e propozuar do të pranojë migrantë që nuk kanë leje ligjore për të qëndruar në vendet pjesëmarrëse të BE-së dhe ndaj të cilëve janë marrë vendime të ekzekutueshme për kthim.

Nisma do t’u mundësonte migrantëve të transferuar të integrohen në shoqërinë e Ruandës ose të udhëtojnë vullnetarisht drejt vendeve të tyre të origjinës apo vendeve të tjera ku mund të qëndrojnë ligjërisht, me mbështetje ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.

Duke folur në një konferencë për media në Vjenë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen e cilësoi njoftimin si pikë kthese.

“Për mua, dita e sotme shënon një hap vendimtar drejt një sistemi të ri të migracionit, një sistem që mbron kohezionin e shoqërive tona dhe u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve tanë”, tha ajo.

Frederiksen tha se vendet pjesëmarrëse po kërkojnë ndryshime thelbësore në politikën e migracionit, duke theksuar se rrjetet e kontrabandës së njerëzve po përfitojnë nga udhëtimet e rrezikshme drejt Evropës.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se marrëveshja e propozuar do të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, të Ruandës dhe atë ndërkombëtar, ndërsa Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) po ofron këshilla për standardet e të drejtave të njeriut.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, tha se negociatat konkrete me vendin e Afrikës Lindore do të fillojnë të hënën.