| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosovë, reagime për këngën nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së
“Më vjen keq për zgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Ajo prek ndjenjat sensitive, posaçërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë që vijnë nga kjo pjesë po ashtu”, tha Kos
Kosovë, reagime për këngën nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së
Kosovë, reagime për këngën nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së / َAA

Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në një koncert në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), ka nxitur reagime nga zyrtarë të institucioneve në Kosovë dhe përfaqësues evropianë. 

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e kësaj kënge, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian.

Duke folur para gazetarëve, Kos tha se qëllimi i procesit të integrimit evropian nuk është harrimi i dallimeve, por ndërtimi i një Evrope ku ato nuk përbëjnë pengesë për të ardhmen e përbashkët. Ajo gjithashtu rikujtoi vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë të kaluarës.

“Më vjen keq për zgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Ajo prek ndjenjat sensitive, posaçërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë që vijnë nga kjo pjesë po ashtu. Unë dua të nënvizoj se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk reflekton pozitën e Komisionit Evropian apo pozicionin tim lidhur me historinë e Kosovës“, ka thënë Kos.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili e ka cilësuar interpretimin e këngës si “provokim të qëllimshëm ose shfaqje të pastër të injorancës”.

Në një postim në platformën X, Terras ka thënë se Komisioni Evropian dhe komisionerja Marta Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim lidhur me këtë rast.

Reagime ka pasur edhe nga krerë të institucioneve të larta në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka cilësuar shqetësues interpretimin e këngës, duke vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e saj në një aktivitet që synon afrimin e vendeve të rajonit me BE-në.

Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka thënë se përfshirja e këngës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.

Përmes një postimi në X, Bajrami ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor.

Sipas tij, kënga promovon pretendime politike mbi territorin e Republikës së Kosovës dhe përfshirja e saj në një aktivitet kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë nuk përputhet me vlerat evropiane.

Kënga “Oj Kosovo, Kosovo” u interpretua të dielën, më 15 nëntor, gjatë koncertit të organizuar në kuadër të mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit. Në program ishin përfshirë këngë nga vendet e rajonit.

Kënga në fjalë është krijuar në vitin 1989, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, periudhë që përkoi me ngritjen politike të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq.

Forumi i Zgjerimit është aktiviteti i dytë vjetor i Komisionit Evropian që i kushtohet procesit të zgjerimit të BE-së dhe mbledh zyrtarë të lartë evropianë, liderë politikë nga vendet kandidate dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Edicioni i këtij viti organizohet nën drejtimin e komisioneres Marta Kos.

Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë forum, ashtu si në edicionin e kaluar.