Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, shpalli të shtunën Planin e ri të Veprimit të vendit të tij për Inteligjencën Artificiale.
Sipas planit të ri, Türkiye do të mobilizojë të paktën 10 miliardë dollarë investime, kryesisht nga sektori privat, për qendrat e të dhënave, kompjuterizimin në re dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale, tha Erdoğan.
Duke folur në Samitin e Inteligjencës Artificiale të Türkiyes në lstanbul, Erdoğani tha se vendi synon të rrisë kapacitetin e instaluar të qendrave të të dhënave në të paktën 1 gigabajt deri në vitin 2030.
Ai tha se të paktën 2 për qind e programeve të investimeve publike do të ndahen për projektet e inteligjencës artificiale.
Erdoğani njoftoi gjithashtu planet për të vënë në dispozicion të qytetarëve të paktën 2 mijë grupe të dhënash publike përmes Bibliotekës Kombëtare të të Dhënave, përfshirë të dhëna nga sektorë si shëndetësia, bujqësia, mbrojtja dhe tregtia elektronike.
Sipas planit të ri të veprimit, Türkiye do të trajnojë 10 mijë specialistë të avancuar të inteligjencës artificiale dhe 100 mijë profesionistë të aplikimit të IA-së, tha ai.
Presidenti shtoi se në të gjitha 81 provincat do të nisin punëtori për njohuritë bazë mbi inteligjencën artificiale, me synimin për të trajnuar 5 milionë qytetarë brenda dy vitesh.
“Do të nisim Programin Kombëtar për Njohuritë Bazë mbi Inteligjencën Artificiale, për të siguruar që njerëzit e të gjitha moshave ta kuptojnë saktë inteligjencën artificiale dhe ta përdorin atë në mënyrë të sigurt”, tha Erdoğan.
Plani i Veprimit për Inteligjencën Artificiale mbështetet në katër shtylla kryesore, “zbulo, përfito, prodho dhe qeveris”, me katër veprime plotësuese nën secilën shtyllë, theksoi ai.

















