Vizioni i Türkiyes për IA-në do të prezantohet të shtunën në Samitin e Inteligjencës Artificiale të Türkiyes në Istanbul.
Kryetari i Baykar, Selçuk Bayraktar, tha se aktiviteti do të fokusohet jo vetëm te zhvillimet teknologjike, por edhe te vendi i njeriut në një botë gjithnjë e më të mekanizuar.
Në një postim në rrjetin social X, Bayraktar deklaroi se samiti do të trajtojë si zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale, ashtu edhe pyetje më të gjera mbi të ardhmen.
"Në samitin ku do të prezantojmë vizionin tonë për inteligjencën artificiale, do të diskutojmë horizontin e qytetërimit tonë për të ardhmen dhe rëndësinë e mbetjes njerëzorë në një botë që po mekanizohet gjithnjë e më shumë", tha ai.
Sipas informacionit të ndarë nga Bayraktar, samiti do të mbahet në Rixos Tersane Istanbul në orën 15:30 sipas orës vendase.
Bayraktar është kryetar dhe drejtues teknologjik i Baykar, një prej kompanive kryesore të teknologjisë së mbrojtjes në Türkiye.
Samiti i Inteligjencës Artificiale të Türkiyes pritet të mbledhë ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të industrisë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në inteligjencën artificiale dhe tendencat teknologjike që do të formësojnë të ardhmen.

















